Gordana Nedelkoviq dhe Mirosllav Ristiq nga territori i komunës së Graçanicës janë njoftuar se janë shkarkuar nga puna, për faktin se, siç thonë vetë ata, nuk e mbështesin Listën Serbe, por Partinë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë të Nenad Rashiqit.
Nedelkoviq, deri më 14 maj, ka punuar si teknike laboratori në Qendrën e Shëndetit në Graçanicë, ndërsa Ristiq ka qenë i punësuar në Shkollën e Mesme Elektroteknike si profesor i mësimit praktik.
Dy persona të tjerë, të punësuar në institucionet e Serbisë në Kosovë, konfirmuan gjithashtu për Radion Evropa e Lirë se janë dëbuar nga puna për arsye politike, por kërkuan të mbeten anonimë.
Pretendime të përsëritura për frikësim dhe presion politik
Kjo nuk është hera e parë që pjesëtarë të komunitetit serb në Kosovë bëjnë akuza ndaj Listës Serbe për shantazh apo frikësim, në prag të proceseve zgjedhore.
Në disa raste, Radio Evropa e Lirë ka shkruar për këto pretendime, por bashkëbiseduesit kanë këmbëngulur kryesisht në anonimitet, për shkak të frikës nga pasojat.
Gjithashtu, edhe kundërshtarët politikë të Listës Serbe kanë thënë shpesh në publik se kandidatët e tyre janë frikësuar.
Një nga zërat më të fuqishëm ka qenë politikani serb, Oliver Ivanoviq – bartës i listës Liria, Demokracia, Drejtësia në zgjedhjet lokale të Kosovës në vitin 2017 – disa muaj përpara se të vritej.
Gjatë fushatës zgjedhore për ato zgjedhje lokale, për shkak të frikësimit të serbëve në veri të Kosovës, katër kandidatë nga lista e tij janë tërhequr, ndërsa atij i është djegur edhe vetura në Mitrovicën e Veriut.
Gordana Nedelkoviq thotë se, pas 35 vjetësh përvojë, ka mbetur e papunë, sepse bashkëshorti i saj, Aleksandar, është politikisht aktiv në Partinë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Mirosllav Ristiq, i cili ka punuar 20 vjet në arsim, po ashtu pretendon se është shkarkuar nga puna, për shkak se mbështet partinë e Nenad Rashiqit.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ata thonë se do të tentojnë t’i kundërshtojnë në gjykatë vendimet për largim nga puna.
“E mora vendimin të enjten, ku thuhet se merrem me politikë, se përhap nacionalizëm dhe gjuhë urrejtjeje. Asgjë nuk lidhet me punën time”, thotë Nedelkoviq.
Në vendimin e largimit nga puna, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë, thuhet se Gordana Nedelkoviq, për një periudhë të gjatë, ka shprehur publikisht bindjet e saj politike, në kundërshtim me “interesat për të cilat është përcaktuar popullsia serbe në Kosovë dhe Metohi, e cila jeton në sistemin institucional që Republika e Serbisë nuk e njeh”.
Drejtoresha e Qendrës së Shëndetit në Graçanicë, Mirjana Dimitrijeviq, nuk pranoi të komentojë për Radion Evropa e Lirë largimin nga puna të Gordana Nedelkoviqit, si dhe të punonjësve të tjerë që pretendojnë se kanë mbetur pa punë për arsye politike.
Nga ana tjetër, drejtori i Shkollës së Mesme Elektroteknike, Boban Petroviq, mohoi se Mirosllav Ristiq është shkarkuar nga puna për arsye politike, duke thënë se ai nuk ka pasur licencë pune.
Ristiq konfirmon se mungesa e licencës është përmendur në vendimin e shkarkimit, por këmbëngul se arsyeja e vërtetë është politike.
“Kanë gjetur se nuk kam licencë pune, por, sipas Ligjit për mësim praktik, mua nuk më duhet licencë. Edhe juristes së shkollës i kam kërkuar të jap provimin për licencë, por ajo më ka thënë se nuk më nevojitet”, thotë ai.
Ristiq tregon se ka qenë i punësuar në arsim që nga viti 2007, se ka marrë një vendim të përhershëm në vitin 2013 dhe se, deri më tani, askush nuk i ka kërkuar leje pune.
Ai gjithashtu pohon se për të marrë licencën, është e nevojshme që institucioni arsimor ku punon, të dërgojë një kërkesë dhe të paguajë shpenzimet.
Ligji mbi bazat e sistemit arsimor të Serbisë përcakton se puna e një mësuesi, edukatori dhe bashkëpunëtori profesional mund të kryhet nga një person që ka leje pune, ose më saktë licencë.
Megjithatë, sipas informacionit të disponueshëm në faqen e internetit të Ministrisë së Arsimit të Serbisë, procedura për marrjen e licencës për mësuesit, edukatorët dhe bashkëpunëtorët profesionalë iniciohet nga institucioni ku kandidati është i punësuar, pas përfundimit me sukses të stazhit.
Ristiq shton se, më herët, është paralajmëruar që të mos e mbështesë publikisht Rashiqin, por se nuk u është bindur këtyre paralajmërimeve.
“Ka pasur kërcënime verbale, jo me shkrim. Mendoj se është e drejta ime demokratike ta mbështes atë që dua. Këto presione zgjasin prej vitesh”, thotë Ristiq.
Ai tregon se i është ndërprerë edhe sigurimi shëndetësor në sistemin serb – gjë që do t’ia vështirësojë trajtimin e mëtejshëm mjekësor.
“Jam i sëmurë me kancer prej pesë vjetësh dhe menjëherë ma kanë hequr sigurimin shëndetësor. Më duhej një referim për të shkuar te mjeku në Beograd, por më kanë çregjistruar menjëherë”, shton ai.
Punonjësve në institucionet e Serbisë në Kosovë u zbritet nga paga për sigurim shëndetësor në sistemin serb, ndërsa shteti mbulon shpenzimet për ata që nuk janë të punësuar.
Një numër i madh i pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë referohen për trajtime më serioze në qytete të Serbisë, si Beogradi, Kragujevci apo Nishi.
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar edhe Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Ministrisë së Arsimit atje dhe Ministrisë së Shëndetësisë, me pyetjen nëse janë të informuara për pretendimet e tilla për largimet nga puna, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk ka marrë përgjigje.
Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit në Kosovë, me Listën Serbe do të konkurrojë vetëm partia e Nenad Rashiqit, i cili në dy mandate ka qenë ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e kryeministrit Albin Kurtit.
“Disa i shkarkojnë nga puna, të tjerët i punësojnë”
Aleksandar Nedelkoviq, bashkëshortja e të cilit, Gordana, u shkarkua nga puna për shkak të angazhimit të tij politik, thotë se pjesëtarët e komunitetit serb përballen me presione të vazhdueshme nga Lista Serbe dhe se shumë prej tyre nuk guxojnë as të komunikojnë me ata që e mbështesin Rashiqin.
“Është shumë e vështirë. Ky është një akt frikësimi, rrallë kush guxon të flasë me ne. Në fshehtësi po, por publikisht jo. Pas këtyre largimeve nga puna, njerëzit janë të frikësuar”, thotë ai.
Nedelkoviq shton se Lista Serbe u premton vende pune dhe ndihmë financiare nga Serbia atyre që votojnë për të, ndërsa ata që nuk e mbështesin, përballen me largime nga puna.
Në Kosovë, gjatë një viti e gjysmë të fundit, janë mbajtur dy herë zgjedhje parlamentare, si dhe zgjedhje lokale.
Gjatë fushatave zgjedhore, shteti i Serbisë ka hapur qindra vende të reja pune në institucionet e tij shëndetësore në Kosovë – gjë që në publik është komentuar si “ndërhyrje në procesin zgjedhor” ose “sigurim i votave për Listën Serbe”.



Të tjera
Forconi me këto ushqime imunitetin gjatë dimrit
Trump: SHBA-ja shtyn súlmin e planifikuar të së martës ndaj Iranit
Dosti me reagim të fortë: As grushtet e Samisë e as mllefi i Osmanit nuk e rrëzojnë Kurtin!