“Avokati i Thaçit shpërthen ndaj Speciales: Për 5 vite asnjë kërkesë e mbrojtjes s’u pranua”

Luka Mishetiq, avokat i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka kritikuar ashpër efikasitetin e Gjykatës së Apelit që funksionon brenda Dhomave të Specializuara në Hagë.

Mishetiq, përmes një postimi në platformën X, ka shkruar se gjatë pesë vjetëve e gjysmë sa Thaçi po mbahet në paraburgim, të gjitha ankesat e paraqitura nga mbrojtja janë refuzuar.

“Për hir të plotësisë lidhur me efektivitetin e ankesave në gjyqin për krime lufte ndaj Hashim Thaçi: Mbrojtja në këtë gjykim tashmë ka paraqitur (dhe përfunduar) 40 ankesa ndërmjetëse. Paneli i Apelit deri më tani i ka refuzuar të gjitha. Kjo do të thotë 0 nga 40 përgjatë pesë viteve e gjysmë”, ka shkruar ai.

Zyrtarisht, gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit ka nisur më 3 prill 2023, ndërsa vendimi pritet të shpallet më 20 korrik 2026.

Ndërkohë, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar dënim me burgim prej 45 vjetësh për secilin nga të akuzuarit, kërkesë që është kundërshtuar ashpër nga mbrojtja e tyre./Telegrafi/