Qeveria emëron Hyrmete Mydytin kryesuese e Bordit të drejtorëve të Postës

Gjykata vendos në favor të Telekomit në rastin ndaj Artmotion për FIFA 2026

TELEKOMI I KOSOVËS njofton se Gjykata Komerciale ka ndaluar keqpërdorimin nga Artmotion të të drejtave ekskluzive të Telekomit të Kosovës për FIFA World Cup 2026 / Kampionatin Botëror 2026, transmeton KosovaPost.

“Sot, më 22.05.2026, Telekomi i Kosovës ka pranuar Aktvendimin e Gjykatës Komerciale të Kosovës, Dhoma e Shkallës së Parë, me të cilin është aprovuar në tërësi si i bazuar propozimi i Telekomit për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë ndaj keqpërdorimit të ARTMOTION Sh.P.K. me të drejtat ekskluzive të Telekomit të Kosovës për FIFA World Cup 2026 / Kampionatin Botëror 2026. Me këtë Aktvendim, Gjykata ka ndaluar biznesin ARTMOTION Sh.P.K. që të reklamojë, promovojë, shesë, ofrojë apo shpërndajë pako të shërbimeve fikse që mundësojnë përcjelljen e Kampionatit Botëror 2026 / FIFA World Cup 2026 në Kosovë”, njofton Telekomi.

Telekomi i Kosovës Sh.A. njofton opinionin publik, partnerët medialë dhe të gjithë operatorët në treg se është bartësi dhe transmetuesi ekskluziv i të drejtave për FIFA World Cup 2026 / Kampionatin Botëror 2026 në territorin e Republikës së Kosovës.

“Telekomi i Kosovës është adresa e vetme zyrtare e autorizuar për transmetimin, promovimin dhe shfrytëzimin komercial të kësaj ngjarjeje madhore sportive në territorin e Republikës së Kosovës. Çdo medium transmetues, operator kabllor, IPTV, OTT, platformë digjitale apo subjekt tjetër që nuk ka autorizim nga Telekomi i Kosovës, nuk posedon të drejtë për reklamim, promovim, shitje, ofertim apo shpërndarje të përmbajtjes që lidhet me FIFA World Cup 2026”, thuhet në noftim.

Telekomi i Kosovës, me këtë rast, fton të gjithë transmetuesit, operatorët, platformat digjitale, mediat dhe subjektet e tjera komerciale që të përmbahen nga çdo formë e reklamimit, promovimit, ofertimit apo komunikimit publik që mund të krijojë përshtypjen se posedojnë autorizim, licencë apo të drejtë për transmetimin apo shfrytëzimin komercial të FIFA World Cup 2026 në Republikën e Kosovës.

“Çdo promovim i paautorizuar i këtij eventi mund të krijojë konfuzion te konsumatorët dhe të cenojë të drejtat ekskluzive të Telekomit të Kosovës; prandaj, për çdo veprim të tillë Telekomi do të ndërmarrë hapat e nevojshëm ligjorë për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të tij. Telekomi i Kosovës mbetet i përkushtuar që qytetarëve të Republikës së Kosovës t’u ofrojë qasje të ligjshme, cilësore dhe të sigurt në një nga ngjarjet më të mëdha sportive në botë”, thuhet në njoftim.