Gërvalla: Pa sundim të ligjit, shteti humb themelet dhe besimin e qytetarëve.

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se sundimi i ligjit është shtylla që e mban shtetin në këmbë.

Gërvalla ka bërë të ditur se gjatë vizitës në Prokurorinë Themelore në Gjakovë është pritur nga kryeprokurori Enis Gashi, me të cilin kanë diskutuar për funksionimin institucional të sistemit prokurorial dhe sfidat në garantimin e efikasitetit dhe koordinimit në trajtimin e lëndëve.

Sipas saj, pakoja prej pesë ligjeve, funksionalizimi i Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, si dhe procesi i Vetingut, përbëjnë arkitekturën kryesore të forcimit të integritetit dhe konsolidimit të sistemit të drejtësisë.

Ajo ka theksuar se ky proces mbështetet në bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional, si element thelbësor për rritjen e efikasitetit dhe forcimin e besimit në sundimin e ligjit.