Analisti politik Lirim Gashi ka reaguar me tone të ashpra ndaj zhvillimeve të fundit politike në Kosovë, duke kritikuar atë që e quan tendencë për ta interpretuar çdo fitore të madhe zgjedhore si rrezik për demokracinë.
Në një reagim publik, Gashi thotë se në Kosovë po krijohet një narrativë ku rezultatet plebishitare po etiketohen si “diktaturë”, duke e krahasuar këtë qasje me realitete politike në vendet perëndimore.
Ai sjell si shembull periudhën e qeverisjes së Angela Merkel në Gjermani, duke argumentuar se kontrolli institucional nuk u interpretua si kërcënim për demokracinë.
Në qendër të kritikës së tij është ish-presidentja Vjosa Osmani, për të cilën Gashi pretendon se nuk ka ndërtuar projekt të pavarur politik pa mbështetjen e Albin Kurti dhe se po kontribuon në bllokim institucional.
Sipas Gashit, politikanët duhet të kuptojnë se vota e qytetarëve nuk mund të trajtohet si problem demokratik dhe se shteti nuk duhet të vihet në funksion të ambicieve personale.
Në fund të reagimit, analisti i bën thirrje Osmanit që të reflektojë mbi rolin e saj politik dhe të fokusohet te stabiliteti institucional, duke theksuar se historia i gjykon figurat politike më shumë nga pasojat e veprimeve të tyre sesa nga synimet që deklarojnë publikisht.
Reagimi i plotë:
“BLLOKUESIT E SHEKULLIT” DO TË PËRFUNDOJNË PËRFUNDIMISHT NË KLINIKËN E MADHE TË IDIOTIZMIT POLITIK
Po të zbatohej kjo logjikë tragjikomike në mënyrë konsekuente, Evropa do ta kishte shpallur gjendjen e jashtëzakonshme që në vitin 2009, kur qeveria e zonjës Angela Merkel kontrollonte kancelarinë, ministritë kyçe, parlamentin dhe presidencën.
Por çuditërisht, gjermanët nuk hipën nëpër pemë si majmunë të trembur nga frika e diktaturës. Ata vazhduan të punonin, të pinin kafenë e tyre dhe t’i paguanin taksat.
Ndërkaq tek ne, mjafton një fitore bindëse e Albin Kurtit që disa fytyra ceremoniale — të frymëzuara nga ish-presidentja e vetëdashuruar — të fillojnë të sillen sikur demokracia jonë po transportohet me autoambulancë drejt varrezave masive të Serbisë.
Por historia politike është mizore ndaj njerëzve që popullaritetin e huazuar e ngatërrojnë me madhështinë personale. Sepse hija e një lisi nuk e shndërron ferrën në lis. Vetëm e mbron përkohësisht nga bryma e vjeshtës.
Dhe pikërisht këtu fillon tragjikomedia kosovare në formën e saj më primitive: një ish-presidente që nuk ka arritur ta ndërtojë as edhe një kioskë të vetme politike pa ndihmën e Albin Kurtit, tani ëndërron ta bllokojë shtetin sikur të ishte arkitektja e historisë.
Këta “bllokues të shekullit”, që janë grumbulluar rreth ish-presidentes si grumbujt e plehrave rreth deponisë, t’i kujtojnë pacientët që futen në sallën e operacionit me temperaturë delirante, por megjithatë insistojnë t’i japin leksione kirurgut për anatominë. Problemi nuk është vetëm mungesa e dijes — problemi i vërtetë është mbidoza e vetëadhurimit.
Në thelb kemi të bëjmë me një epidemi të rrallë të idiotizmit historik, politik, filozofik, etik dhe moral. Një sëmundje kronike që e bën pacientin të besojë se sabotimi është mençuri, se bllokada është patriotizëm dhe se hakmarrja personale është vizion shtetëror.
Për këtë arsye, disa figurave publike do t’u nevojitej urgjentisht një trajtim i specializuar në “Klinikën Ndërkombëtare për Rehabilitimin e Narcizmit Politik dhe për Shërimin e Delirit Institucional”.
Aty pacientët do t’i mësonin gradualisht disa të vërteta elementare:
se shteti nuk është pasqyrë për makijazhin e egos personale,
se vota e popullit nuk është alergji demokratike,
dhe se tradhtia ndaj ish-aleatëve politikë me qëndrime të logjikshme shtetformuese nuk quhet parim, por karakter i deformuar.
Në repartin e terapisë intensive do të trajtoheshin rastet më të rënda: ata që ende besojnë se mund të mbijetojnë politikisht duke e kafshuar dorën e njeriut që dikur i ngriti lart.
Sepse historia ka një sens humori brutal: njerëzit që përkrahjen e përkohshme e ngatërrojnë me pavdekësinë politike zakonisht përfundojnë duke mbajtur fjalime patetike para karrigeve të zbrazëta.
Dhe kur egoja e tyre më në fund shembet nën gravitetin e realitetit, ata e kuptojnë tepër vonë se populli mund t’ua falë gabimet — por rrallëherë ua fal përbuzjen që ia bëjnë inteligjencës së tij.
Ndoshta ende nuk është vonë që ish-presidentja Vjosa Osmani ta kuptojë se politika nuk është spektakël emocionesh personale, por arti i përgjegjësisë historike.
Sepse ekziston një moment fatal në jetën e çdo politikani: ai çasti kur njeriu fillon të besojë se duartrokitjet janë biletë për përjetësi presidenciale dhe se populli ka detyrim moral t’i qëndrojë besnik përgjithmonë.
Dhe pikërisht aty fillon verbëria politike e ish-presidentes.
Mirëpo verbëria është shumë më e rrezikshme se humbja e pushtetit. Sepse pushteti mund të rikthehet, ndërsa kredibiliteti i humbur rrallëherë ringjallet.
Nëse ish-presidentja dëshiron ta korrigjojë kursin para se historia ta arkivojë si një potencial të humbur, ajo duhet ta kuptojë së pari një të vërtetë elementare: askush nuk bëhet figurë shtetërore duke luftuar vazhdimisht për protagonizëm personal. Figurë shtetërore bëhesh kur di ta dallosh momentin kur egoja duhet të heshtë për hir të stabilitetit institucional.
Ajo duhet të heqë dorë nga tundimi fatal për t’u paraqitur si viktimë permanente e mosmirënjohjes politike. Sepse viktimizimi kronik është streha psikologjike e politikanëve që gradualisht e humbin kontaktin me realitetin. Populli mund të ketë simpati për viktimat për një kohë, por nuk ua beson të ardhmen njerëzve që ushqehen vazhdimisht me dramë personale.
Nga këndvështrimi moral, ajo duhet ta kuptojë se besnikëria ndaj ish-aleatëve politikë nuk është dobësi, por test karakteri. Në politikë mund të lejohen mosmarrëveshje strategjike, por jo shndërrimi i frustrimeve personale në sabotim institucional. Sepse aty ku egoja bëhet më e rëndësishme se shteti, fillon degradimi moral i liderit.
Nga këndvështrimi intelektual, ajo duhet ta rrethojë veten me njerëz që ia thonë të vërtetën, jo me oborrtarë që e ushqejnë me narcizëm ceremonial. Politikanët nuk rrëzohen zakonisht nga armiqtë, por nga admiruesit servilë që ua shkatërrojnë aftësinë për vetëkritikë.
Nga këndvështrimi strategjik, ajo duhet ta kuptojë se hakmarrja politike është luks i njerëzve të vegjël. Liderët e mëdhenj nuk maten me aftësinë për të krijuar konflikte, por me aftësinë për t’i neutralizuar ato pa e djegur shtetin.
Nga këndvështrimi historik, ajo duhet ta dijë se historia nuk ka shumë respekt për figurat që në momentet kyçe kontribuojnë në fragmentimin e kampit të tyre politik vetëm për shkak të ambicieve personale. Historia është brutale: zakonisht i mban mend jo për qëllimet që pretenduan, por për pasojat që prodhuan.
Nga këndvështrimi psikologjik, ajo duhet të çlirohet nga nevoja obsesive për validim publik. Sepse kur politikani fillon të jetojë vetëm nga pasqyra mediatike, ai gradualisht e humb aftësinë për ta dëgjuar realitetin. Dhe realiteti është gjithmonë më i fortë se propaganda personale.
Ajo duhet ta kuptojë se dinjiteti politik nuk qëndron te aftësia për ta dominuar çdo skenë, por te aftësia për ta ruajtur peshën morale edhe kur nuk je në qendër të kamerave.
Sepse në fund, populli nuk i respekton gjatë politikanët që kërkojnë adhurim. I respekton ata që në momentet më të vështira dinë ta vendosin shtetin mbi egon personale.
Dhe nëse ish-presidentja Vjosa Osmani vazhdon ta ngatërrojë vetveten me vetë shtetin, atëherë rrezikon të përfundojë si shumë figura të tjera kosovare: me shumë fotografi protokollare në arkiva dhe me shumë pak respekt real në kujtesën historike të popullit.



Të tjera
5 gjëra që s’duhet bërë kurrë në takimin e parë
Tottenham rikthehet për Savinhon, nisin kontaktet me Manchester Cityn
Meksika pranon ta akomodojë në tokën e saj Kombëtaren e Iranit gjatë Kupës së Botës