Vizita e kongresistëve amerikanë në Kosovë, profesori zbulon ‘prapaskenat’: Po nis rikthimi i realitetit shqiptar

Sot (26 maj), dy kongresistë amerikanë – Keith Self dhe Suhas Subramanyam – do të zhvillojnë një vizitë zyrtare në Kosovë dhe në Luginën e Preshevës.

Për vizitën e tyre ka njoftuar Organizata Albanians For America dhe vizita synon forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës, diskutimin e zhvillimeve të sigurisë në rajon dhe mbështetjen për të drejtat e shqiptarëve.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, delegacioni amerikan do të zhvillojë takime me përfaqësues të institucioneve qendrore, si dhe me autoritete amerikane dhe ndërkombëtare të sigurisë në Camp Bondsteel. Në agjendë janë përfshirë edhe takime me përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave.

Pas vizitës në Kosovë, kongresistët do të udhëtojnë drejt Lugina e Preshevës, ku do të takojnë përfaqësues të Këshilli Kombëtar Shqiptar, liderë politikë shqiptarë dhe drejtues lokalë në Preshevë dhe Bujanoc.

Profesor, doktor i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, thotë se qëllimi i vizitës në Kosovë nuk ka të bëjë me ndonjë verifikim të pozicionit të lidershpit të saj, sepse në SHBA janë të bindur se Kosova është dhe do të mbetet aleati më i mirë i Perëndimit.

Ndërsa, qëllimi i vizitës në Preshevë e në Luginë është për të marrë informacione shtesë lidhur me raportet që shqiptarët në Serbi kanë me qeverinë serbe.

“Para pak ditësh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se kishte zhvilluar një bisedë telefonike me kongresmenët amerikanë, Keith Self dhe Suhas Subramanzam, dhe se u kishte kërkuar atyre që Bonstill të përdoret si bazë ushtarake amerikane në Kosovë. Sot këta dy kongresmenë amerikanë janë në Kosovë dhe pasdite do të shkojnë edhe në Luginën e Preshevës. Të shtunën ata ishin në Beograd, ku u takuan me kryetaren e parlamentit të Serbisë. Anna Brnabiq. Presidenti Vuçiq ia kishte mbathur në drejtim të Pekinit, sepse duhej t’i binte nga Kina që të deklaronte mundësinë e dorëheqjes së tij. Vizita ka për qëllim të mbledhë fakte mbi zhvillimet politike dhe pozicionet gjeostrategjike, sidomos të Serbisë. Vizita në Beograd me siguri që ishte një test për qeverinë dhe presidentin serb, nëse ata kanë ndërmend të ndryshojnë aleancën e vjetër e të lidhen me aleancën euro-atlantike ose jo. Qëllimi i vizitës në Kosovë nuk ka të bëjë me ndonjë verifikim të pozicionit të lidershpit të saj, sepse në SHBA janë të bindur se Kosova është dhe do të mbetet aleati më i mirë i Perëndimit. Ndërsa qëllimi i vizitës së dy kongresmenëve amerikanë në Preshevë e në Luginë duke se është të marrë informacione shtesë lidhur me raportet që shqiptarët në Serbi kanë me qeverinë serbe dhe sjelljet e Serbisë ndaj këtij minoriteti“, thotë Bytyçi për „Bota sot“.
Image

Profesor, doktor i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi

SHBA ka një agjendë specifike në rajon, thotë Bytyçi dhe ajo kërkon forcimin e faktorit shqiptar.

Bytyçi hedh poshtë akuzat e opozitës se “Amerika nuk e do Albin Kurtin”, duke theksuar se amerikanët dhe evropianët e sollën Kurtin pikërisht me qëllimin e shprehur në praktikë që t’ia impononin Beogradit tërësinë e sovranitetit territorial në Kosovë dhe të evitonin krijimin e çdo modeli të Republikës Srpska.

“Kjo do të thotë se akuzat e opozitës se “Amerika nuk e do Albin Kurtin“, janë fantazi. Kam qenë i bindur dhe e kam trajtuar me kolegët e mi studiues dhe gazetarë faktin se Albin Kurti, ashtu si dhe liderët e tjerë në Shqipëri dhe në Kosovë kanë qenë dhe janë edhe vullnet amerikan. Të gjithë sa kanë ardhur në pushtet dhe sa kanë ikur nga pushteti kanë qenë projekt i Uashingtonit, Londrës, Berlinit dhe deri diku Parisit. Kurti nuk bën përjashtim. Të gjithë kanë pasur kohën e vet në dispozicion dhe dallohen midis tyre për atë se si e kanë shfrytëzuar këtë kohë për të mirën e vendit të tyre. Amerikanët dhe europianët e sollën Albin Kurtin, pikërisht me qëllimin e shprehur në praktikë, që t’ia impononin Beogradit tërësinë e sovranitetit territorial në Kosovë dhe të evitonin krijimin e çdo modeli të Republikës Srpska. Kurti këtë rol po e luan me mjeshtri. Ata që thonë të kundërtën, bëjnë thjesht propagandë, e cila me dashje ose pa dashje shkon në favor të Serbisë dhe të Rusisë“, shprehet Bytyçi.

Çështja shqiptare do të hyjë në një epokë të re, thotë profesori, duke shtuar se është koha e rikthimit të realitetit shqiptar.

Në fund, profesori shton se ndryshimet në politikën shqiptare duhen dhe Kurti është në rolin e tij të caktuar, ndërsa Rama është i dalë nga ky rol.

„Politika shqiptare duhet të përgatitet për këtë start të ri zhvillimesh, të cilin po e promovojnë senatorët amerikanë Self dhe Supremanzam. Dikur, para 36 vitesh, politikën për Kosovën e promovuan Bob Doll, Tom Lamtosh, Diogardi dhe të tjerë kongresmenë amerikanë. Tani ka nis epoka e një trendi të ri, një start i ri, promovimi i rolit të shqiptarëve në rajon nga pikëpamja gjeostrategjike. Kjo do të thotë se duhen ndryshime në politikën shqiptare, sidomos në Shqipëri. Albin Kurti është në rolin e tij të caktuar, por Edi Rama është i dalë nga ky rol. Duhet të hyjnë në rol opozita në Kosovë, klasa politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe ajo në Mal të Zi. Gjithnjë për të ruajtur ekuilibrat pro-perëndimorë“, përfundon Bytyçi.