Begaj uron nga Meka: Festa që na kujton sakrificën dhe solidaritetin

Begaj uron nga Meka: Festa që na kujton sakrificën dhe solidaritetin

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka uruar besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit, duke përcjellë mesazhe për paqe, solidaritet dhe mirësi.

Në një mesazh nga Meka, qyteti i shenjtë i besimit, Begaj uroi më shumë begati, shëndet dhe harmoni për familjet shqiptare, duke theksuar rëndësinë e kësaj feste si simbol i sakrificës dhe përkushtimit ndaj Zotit.

Ai theksoi se Kurban Bajrami është një kujtesë për solidaritetin dhe kujdesin ndaj atyre që kanë më shumë nevojë, duke shtuar se shoqëria bëhet më e fortë kur njerëzit ndajnë jo vetëm gëzimin, por edhe dhembjen dhe përgjegjësinë për njëri-tjetrin.

Begaj nënvizoi gjithashtu se kjo festë rikujton vlerat tradicionale që janë ruajtur ndër shekuj, si besimi, familja, mikpritja dhe respekti.

Presidenti bëri të ditur se këtë festë po e pret në Mbretërinë e Arabisë Saudite, me ftesë të Mbretit Salman bin Abdulaziz Al Saud, në vendin ku miliona besimtarë nga e gjithë bota bashkohen në lutje dhe përulësi.

“Gëzuar Kurban Bajramin! Zoti sjelltë paqe, mirësi dhe begati në çdo vatër shqiptare”, përfundon mesazhi i tij.