Vini Jr përmend pesë Kombëtare favorite për Kupën e Botës – Ekonomia Online

Vini Jr përmend pesë Kombëtare favorite për Kupën e Botës

Ylli i Real Madrid dhe kombëtares së Brazilit, Vinicius Junior, ka folur për ëndrrën e tij për të fituar Kupën e Botës me Brazilin, duke pranuar gjithashtu se nuk ka arritur ende të tregojë formën më të mirë me fanellën e kombëtares.

Sulmuesi brazilian u shpreh krenar që përfaqëson vendin e tij në turneun më të madh të futbollit dhe tha se synon që Botërori i ardhshëm të jetë momenti më i rëndësishëm i karrierës së tij.

“Shpresoj që tetë ndeshjet e Kupës së Botës të jenë ndeshjet më të mira të jetës sime. Përfaqësimi i Brazilit në turneun më të madh të futbollit është një ëndërr që e kam pasur që fëmijë dhe dua të bëj gjithçka që mundem për ta ndihmuar vendin tim të fitojë një tjetër Kupë Bote”, deklaroi Vinicius.

Braziliani përmendi edhe kombëtaret që i konsideron favorite për triumfin në turne.

“Spanja, Franca, Argjentina, Portugalia dhe Gjermania janë të gjitha favorite shumë të forta”, tha ai.

Vinicius pranoi se paraqitjet me kombëtaren nuk kanë qenë në nivelin e atyre me Real Madridin, duke theksuar se presioni dhe dinamika janë të ndryshme.

“Te klubi im luajmë çdo tri ditë dhe kemi mundësi ta tregojmë veten vazhdimisht. Me kombëtaren është më e vështirë dhe nuk kam qenë në të njëjtin nivel. E di që i kemi zhgënjyer njerëzit, por ka ardhur koha që të gjithë të bashkohemi, që ta ndryshojmë historinë tonë dhe ta rikthejmë festën në vendin tonë”, përfundoi sulmuesi brazilian. /Telegrafi/