Selektori i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka sqaruar arsyet e mungesës së Milot Rashicës, Florent Hadërgjonajt dhe Fidan Alitit, duke bërë të ditur se të tre futbollistët janë jashtë ekipit për shkak të lëndimeve.
Në një deklarim për media, trajneri gjerman theksoi se ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me lojtarët dhe mohoi çdo mundësi që ata të kenë menduar largimin nga Kombëtarja.
“Kam biseduar me të tre lojtarët dhe të gjithë janë të lënduar. Milot Rashica ka pasur probleme fizike dhe ekzistonte rreziku që të pësonte një tjetër lëndim”, deklaroi Foda.
Ai shtoi se futbollistët vazhdojnë të jenë të përkushtuar ndaj Kosovës dhe dëshirojnë të rikthehen sapo të jenë gati fizikisht.
“Asnjëri prej tyre nuk ka thënë se dëshiron të largohet. Të gjithë duan të vazhdojnë me Kombëtaren e Kosovës”, u shpreh selektori.
Foda foli edhe për disa nga emrat e rinj të ftuar në ekip, duke veçuar Dardan Shabanhaxhajn, Rilind Nivokazin dhe Valmir Matoshin, të cilët sipas tij kanë lënë përshtypje pozitive me paraqitjet e tyre.
“Kam qenë personalisht t’i ndjek në ndeshjet e tyre, përfshirë takimin Lugano – Sion. Të tre kanë treguar paraqitje të mira dhe për këtë arsye janë ftuar në Kombëtare”, tha ai.
Selektori la të kuptohet se dera e Kosovës mbetet e hapur për futbollistët që vazhdojnë të tregojnë formë të mirë në klubet e tyre.
“Nëse edhe në të ardhmen vazhdojnë me paraqitje të mira, sigurisht që do të vazhdojnë të ftohen në Kombëtare”, përfundoi Foda. /



Të tjera
Nesër fillon fushata, partitë zbulojnë agjendën hapëse
Shkenca thotë se beqarët jetojnë më mirë
Vinicius: Neymar është idhulli ynë