Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka lëshuar deklarata paralajmëruese pas marrjes nën kontroll nga institucionet e Kosovës të stacioneve hekurudhore në Zveçan dhe Leposaviq, duke thënë se serbët në Kosovë “presin shumë telashe”, ndërsa paralajmëroi se Beogradi do të presë një “moment të favorshëm” në arenën ndërkombëtare.
Duke folur në fund të vizitës së tij në Kinë, Vuçiq tha se Serbia do të vazhdojë t’i ndihmojë serbët në Kosovë.
Vuçiq vazhdoi me narrativë dezinformuese se pas këtij veprimi serbët në Kosovë do të jenë në telashe
“Serbët në Kosovë presin shumë telashe, si dhe pas zgjedhjeve. Kjo është arsyeja pse ne po kërkojmë të ndihmojmë sa më shumë që të mundemi në këto kushte. Zgjidhja nuk është të largohemi nga vatra”, deklaroi ai.
Presidenti serb akuzoi Perëndimin dhe Bashkimin Evropian se, sipas tij, nuk kanë dashur të detyrojnë Kosovën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Nëse do të donin një marrëdhënie ndryshe, do t’i kishin detyruar të formonin Asociacionin dhe ne nuk do të kishim probleme të tilla. Ata nuk e donin këtë, por të shkaktonin tensione dhe të përndiqnin popullin serb”, tha Vuçiq.
Megjithatë Kurti kishte hedhur poshtë këto pretendime.
“Kam dashur të nënshkruaj edhe marrëveshjen kornizë me Serbinë edhe këtë propozim (draft-statutin), por sipas Por Vuçq donte që Serbia dhe Kosova të nënshkruanin ndaras me BE-në”, kishte thënë Kurti.
Në deklaratën e tij, ai përdori edhe tone kërcënuese, duke thënë se Serbia duhet të “presë momentin e favorshëm” në marrëdhëniet ndërkombëtare.
“Duhet ta mbajmë këtë barrë mbi shpinë dhe të presim një moment të favorshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare kur Marrëveshja e Brukselit të mund të përmbushet dhe Karta e Kombeve të Bashkuara të mund të respektohet”, u shpreh presidenti serb.
Komentet e tij vijnë në kohën kur institucionet e Kosovës kanë marrë kontrollin e disa objekteve në veri, përfshirë infrastrukturën hekurudhore në Zveçan dhe Leposaviq, të cilat Prishtina i konsideron pjesë të rrjetit shtetëror dhe planeve për rindërtimin e sistemit hekurudhor.
Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se Kosova nuk do të tolerojë funksionimin e institucioneve serbe dhe se të gjitha do të mbyllen.
Ai ka theksuar se hekurudha në veri është pjesë e rrjetit shtetëror dhe do të përfshihet në projektet për rindërtimin e infrastrukturës hekurudhore.
Ndërkohë, sipas zëdhënësit të Infrakos, Rafet Çitaku, linjat hekurudhore drejt veriut nuk kanë qenë në operim që nga viti 2008, kur u ndërprenë për arsye sigurie dhe politike.
Raportet e kësaj ndërmarrjeje theksojnë se Kosova nuk ka pasur qasje në hekurudhat në veri që nga 3 marsi 2008, por se strukturat paralele serbe, me ndihmën e Hekurudhave të Serbisë, kishin krijuar pengimin e operimit dhe kontrollit të rrjetit hekurudhor në atë zonë.
Në raportin vjetor të Infrakos për vitin 2024 thuhet se kjo çështje pritej të trajtohej në kuadër të dialogut Kosovë–Serbi, por nuk ka pasur progres në këtë drejtim.
Nga ana tjetër, Serbia vazhdon të refuzojë mbylljen e institucioneve të saj në Kosovë, duke i zhvendosur një pjesë të tyre në qytetet kufitare.
Po ashtu, Kosova kërkon integrimin e institucioneve arsimore dhe shëndetësore që funksionojnë sipas sistemit serb në zonat me shumicë serbe, një çështje që vazhdon të mbetet e kontestuar dhe pjesë e mosmarrëveshjeve politike në veri të vendit./telegrafi



Të tjera
Rizvanolli: Inkasantimi i ujit në veri stabilizoi KRU “Mitrovica”, borxhi kishte arritur në 21 milionë euro
LVV hap fushatën zgjedhore në Ferizaj, Kurti premton 1 miliard euro për ushtrinë dhe dyfishim të shtesave për fëmijë
Haradinaj nga Gjakova: Kosova s’është mirë, duhet bërë më e mira për ta nxjerrë nga kjo gjendje