Millanoviq, Vuçiqit: Mos e frikëso popullin, s’ka aleancë me shqiptarët për të sulmuar Serbinë

Millanoviq, Vuçiqit: Mos e frikëso popullin, s’ka aleancë me shqiptarët për të sulmuar Serbinë

Presidenti kroat Zoran Millanoviq tha të enjten se “do të ishte komike nëse nuk do të ishte shqetësuese” që presidenti serb Alleksandar Vuçiq i frikëson vazhdimisht qytetarët e tij se Kroacia po krijon një aleancë ushtarake kundër Serbisë.

Ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiq nënshkroi një Deklaratë për Bashkëpunim në Fushën e Sigurisë dhe Mbrojtjes me homologët e tij nga Kosova dhe Shqipëria vitin e kaluar, dhe pas kësaj, Vuçiq filloi të kritikonte Zagrebin për krijimin e një aleance ushtarake me Prishtinën dhe Tiranën kundër Beogradit.

“Presidenti i vendit tonë fqinj nuk po heq dorë nga frikësimi i qytetarëve të tij me perspektivën e një sulmi nga Kroacia dhe shqiptarët ndaj Serbisë. Kjo do të ishte komike, nëse nuk do të ishte e pavlerë dhe shqetësuese në fakt”, tha Millanoviq në një akademi ceremoniale me rastin e Ditës së Forcave të Armatosura Kroate, raporton N1, transmeton Klankosova.tv.

Ai shtoi se, duke pasur parasysh që deklarata të tilla vijnë nga kreu i një shteti, njerëzit po pyesin veten nëse është e vërtetë.

“Dhe e di që është inferiore ta shpjegosh dhe ta justifikosh vazhdimisht, por unë e bëj këtë për hir të popullit tonë. Dhe pjesërisht për hir të serbëve, në mënyrë që ata të kuptojnë se çfarë lloj çështje e kotë është”, tha presidenti kroat.