Suzana Tahirsylaj, nëna e këngëtareve të njohura Nora dhe Era Istrefi, ka qenë së fundmi e ftuar në podkastin “Pa komplekse me Elionin”, përballë Elion Kollçakut, ku ka ndarë me publikun detaje të rralla nga jeta private e familjes së tyre dhe rrugëtimi drejt suksesit.
Gjatë intervistës, Suzana ka folur hapur për fillimet e Norës në muzikë dhe ka theksuar se ishin pikërisht të ardhurat e siguruara nga puna e saj ato që, në atë periudhë, krijuan mirëqenien dhe stabilitetin financiar të familjes.
Sipas saj, disiplina, angazhimi dhe suksesi i Norës ndërtuan një bazë të fortë që më vonë e bëri shumë më të lehtë rrugën e Erës, kur ajo vendosi të hynte në botën e muzikës.
Suzana rrëfeu se Era, në vend që të përballej me presione apo ngarkesë, e kalonte kohën e saj në mënyrë të qetë, duke u marrë vazhdimisht me krijimtari: në dhomën e saj shkruante tekste, interpretonte në piano dhe ndiqte edhe shkollën e muzikës, e gjitha kjo “jashtëzakonisht e relaksuar”.
Ajo shtoi se ndërkohë që vetë ishte e angazhuar në udhëtime të gjata me Norën, puna dhe prania e kësaj të fundit i hapën rrugë Erës në mënyrë të jashtëzakonshme, duke e bërë hyrjen e saj në industri shumë më të lehtë.
Në mbyllje të rrëfimit, Suzana e përshkroi fillimin e Erës në muzikë si një hyrje “me qetësi”, falë sakrificës së Norës.
“Ky kontribut i Norës bëri që Era të hynte në industrinë e muzikës tejet e qetë – sikur të hynte në një parajsë dhe jo në një kopsht me xhemba”, u shpreh ajo, duke nënvizuar rolin vendimtar që pati puna e madhe e vajzës së saj të madhe në suksesin dhe rrugëtimin e familjes.



Të tjera
Çaji më i shëndetshëm në planet, këto janë përfitimet
Nënshkruhet memorandum për restaurim të objektit të Institutit Albanologjik
65 zyrtarë policorë trajnohen për “Ballafaqimin me turma” në Vrellë