Kurti uron KF Lepencin dhe paralajmëron renovimin e stadiumit në Kaçanik

Kurti uron KF Lepencin dhe paralajmëron renovimin e stadiumit në Kaçanik

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar klubin e futbollit KF Lepenci për sukseset dhe e tij sportiv, duke vlerësuar kontributin e klubit në futbollin kosovar.

Në një postim publik, Kurti ka theksuar se KF Lepenci, me fanellat kuqezi dhe me tifozërinë e njohur “Fikshat”, është një nga klubet më të hershme të futbollit në Kosovë dhe vitin e ardhshëm shënon 70-vjetorin e themelimit. Ai shtoi se klubi aktualisht është i inkuadruar në Ligën e Parë dhe po vazhdon me përkushtim dhe vullnet synimin për rikthim në Superligë.

Kryeministri Kurti ka vlerësuar gjithashtu angazhimin e lojtarëve, stafit dhe tifozëve, duke i uruar suksese të mëtejshme në garat sportive.

Po ashtu, ai ka bërë të ditur se në mandatin e ardhshëm qeverisës do të angazhohet për renovimin e Stadiumit të qytetit në Kaçanik, i cili mban emrin e dëshmorit Besnik Begunca, si një investim për zhvillimin e sportit dhe infrastrukturës sportive në këtë komunë.

Sipas tij, ky projekt është në shërbim të sportdashësve, klubit dhe qytetarëve të Kaçanikut, si dhe në funksion të avancimit të sportit në nivel vendi.