Haxhiu: Fëmijët kanë nevojë për 365 ditë vëmendje, mbrojtje dhe kujdes

Haxhiu: Fëmijët kanë nevojë për 365 ditë vëmendje, mbrojtje dhe kujdes

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në Konferencën e Nëntë për Shëndetin, Mirëqenien, Edukimin dhe të Drejtat e Fëmijëve, ku ka theksuar se fëmijët kanë nevojë për vëmendje dhe mbrojtje gjatë gjithë vitit.

 

Haxhiu tha se, pavarësisht përparimeve, fëmijët në Kosovë ende përballen me sfida të shumta, duke theksuar se ekziston shpesh një hendek mes asaj që parashihet në ligj dhe asaj që zbatohet në praktikë, njofton zyra për iformim e Presidencës.

Sipas saj, fëmijët kanë të drejtë të ndihen të sigurt, të mos përjashtohen apo stigmatizohen dhe të marrin ndihmë me kohë kur përballen me vështirësi në mësim, shëndet apo zhvillim emocional.

Ajo theksoi se shteti matet me mënyrën se si reagon kur një fëmijë ka nevojë për ndihmë, duke përfshirë qasjen në shërbime, mbështetjen në shkolla dhe mbrojtjen nga çdo formë dhune.

Në fund, Haxhiu u shpreh se 1 Qershori duhet të jetë jo vetëm ditë feste, por edhe ditë përgjegjësie institucionale, duke theksuar se “fëmijët kanë nevojë për 365 ditë vëmendje, mbrojtje dhe kujdes”.