Punëtorët e sigurimit fizik dhe stafi teknik në disa institucione publike po përballen me probleme serioze në marrëdhëniet e punës, ndërsa Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës (FSPTSPK) ka paralajmëruar mundësinë e grevave në ditët në vijim.
Kryetari i sindikatës, Jusuf Azemi, ka bërë të ditur se sot disa punëtorë të sigurimit fizik të angazhuar në Departamentin për Çështje Sociale pranë Ministrisë së Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare kanë paraqitur ankesa lidhur me shkeljen e të drejtave të tyre nga marrëdhënia e punës.
Sipas tyre, ata vazhdojnë të marrin paga në kundërshtim me Ligjin për Pagën Minimale. Po ashtu, kanë ngritur shqetësime për mosrespektimin e pushimit vjetor, vonesat në ekzekutimin e pagave dhe mospagesën e stazhit të punës.
Ndërkohë, nga nesër punëtorët e sigurimit fizik në Universitetin e Prishtinës do të hyjnë në grevë për shkak të pagave të ulëta. Sipas sindikatës, pas përpjekjeve dhe bisedimeve të vazhdueshme për përmirësimin e kushteve të punës, punëtorët kanë vendosur të ndërmarrin këtë hap.
FSPTSPK ka njoftuar se i mbështet kërkesat e tyre dhe do të qëndrojë pranë tyre gjatë grevës.
Gjithashtu, sindikata ka ngritur shqetësimin edhe për punëtorët teknikë të shkollave fillore dhe të mesme në Komunën e Prishtinës, të cilët, sipas saj, tash e më shumë se një muaj nuk kanë kontrata pune.
Sipas njoftimit, nëse deri më 8 qershor nuk u paguhen pagat dhe nuk u ofrohen kontratat e punës, edhe këta punëtorë do të hyjnë në grevë.



Të tjera
Nënshkruhet marrëveshja për zhvillimin e ujitjes në Zasellë
Ardian Ismajli largohet nga grumbullimi i Shqipërisë
Gabimet që bëni kur dhuroni lule