Kurti premton financim të sportit sipas meritës dhe projekte mjedisore për Obiliqin

Kurti premton financim të sportit sipas meritës dhe projekte mjedisore për Obiliqin

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, ka prezantuar disa nga zotimet e tij në fushën e sportit, energjisë dhe mjedisit gjatë një vizite në Obiliq.

Kurti, i shoqëruar nga kryetari i Obiliqit, Halil Thaçi, vizitoi klubin aeronautik “Shqiponjat e Kastriotit”, ku theksoi se mbështetja institucionale për sportistët dhe klubet sportive do të bazohet në parimet e meritës, transparencës dhe llogaridhënies.

Sipas tij, fondet publike për sportin do të ndahen në përputhje me rezultatet, performancën dhe planifikimin e aktiviteteve, duke synuar një sistem më të drejtë dhe më efikas të financimit.

Në kuadër të programit të tij qeverisës, Kurti premtoi gjithashtu përfundimin e projektit për zgjerimin e kapaciteteve të kogjenerimit dhe realizimin e projektit të ngrohjes qendrore në Obiliq gjatë mandatit të ardhshëm.

Ai foli edhe për masa në mbrojtje të mjedisit, duke përmendur krijimin e një brezi të gjelbër ndërmjet Prishtinës, Obiliqit dhe Fushë Kosovës përmes pyllëzimit dhe ngritjes së korridoreve mbrojtëse kundër ndotjes së ajrit.

Po ashtu, Kurti u zotua se do të mbyllet deponia e Mirashit, një çështje që prej vitesh konsiderohet problem mjedisor për banorët e kësaj zone.