Një shpikje zvicerane ndryshoi mënyrën si qërojmë perimet në mbarë botën
Një objekt i vogël dhe i zakonshëm që gjendet sot pothuajse në çdo kuzhinë ka origjinë zvicerane dhe konsiderohet një nga dizajnet më të suksesshme funksionale të shekullit XX. Bëhet fjalë për “Rex peeler”, veglën e njohur për qëruarjen e perimeve, e cila ndryshoi mënyrën e përgatitjes së ushqimit në mbarë botën, përcjell albinfo.ch.
I njohur gjithashtu si “Y-peeler”, ky mjet u shpik dhe u patentua në vitin 1947 nga Alfred Neweczerzal. Para shpikjes së tij, shumica e njerëzve përdornin thika për të qëruar perimet, një metodë më e ngadaltë dhe më pak praktike, që shpesh çonte edhe në humbje të ushqimit.
Dizajni i thjeshtë, por jashtëzakonisht funksional, e bëri menjëherë të njohur këtë vegël kuzhine. I prodhuar nga një copë e vetme alumini, “Rex peeler” ishte i lirë, i lehtë për përdorim dhe i përshtatshëm si për personat e djathtë ashtu edhe për ata të majtë.
Falë efikasitetit dhe qëndrueshmërisë së tij, ky mjet u përhap shpejt në shumë vende të botës dhe vazhdon të përdoret edhe sot në kuzhina profesionale dhe familjare. Për shumë dizajnerë industrialë, ai mbetet një shembull klasik i kombinimit perfekt mes thjeshtësisë, funksionalitetit dhe estetikës.
Sot, “Rex peeler” konsiderohet jo vetëm një vegël praktike kuzhine, por edhe një ikonë e dizajnit zviceran që dëshmon se edhe shpikjet më të vogla mund të kenë ndikim global.



Të tjera
Ariola me ndryshime të Liverpool, kërkon pesë largime dhe katër transferime të reja
Produktet kosovare fitojnë njohje ndërkombëtare për origjinën e tyre
Shoferët me lehtësira të reja, hyn në fuqi udhëzimi për CKP-në