Kosova dhe Shqipëria me marrëveshje për patrullim të përbashkët rrugor

Kosova dhe Shqipëria me marrëveshje për patrullim të përbashkët rrugor

Policia e Kosovës dhe Policia e Shtetit të Shqipërisë kanë nënshkruar një marrëveshje për organizimin e shërbimeve të përbashkëta të policimit rrugor, me qëllim rritjen e sigurisë gjatë sezonit turistik 2026, transmeton KosovaPost.

Marrëveshja u arrit gjatë vizitës zyrtare të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në Policinë e Shtetit të Shqipërisë, ku u prit nga drejtuesi i këtij institucioni, Skënder Hita.

Gjatë vizitës, delegacioni i Policisë së Kosovës u takua edhe me përfaqësues të Akademisë së Sigurisë së Policisë së Shqipërisë, ku u diskutua për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e trajnimeve dhe shkëmbimit profesional.

Drejtori Hoxha mbajti gjithashtu një ligjëratë para studentëve të akademisë, ku prezantoi punën, arritjet dhe objektivat strategjike të Policisë së Kosovës, përfshirë menaxhimin e situatave të sigurisë dhe reagimin profesional në rastin e sulmit në Banjska.

Palët vlerësuan vizitën si të rëndësishme dhe u zotuan për thellim të bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët policor ndërmjet dy vendeve.