Tre emra në listën e Chelseat për të zëvendësuar Cucurellan – Ekonomia Online

Tre emra në listën e Chelseat për të zëvendësuar Cucurellan

Chelsea po përgatitet për një verë me ndryshime të mëdha në krahun e majtë të mbrojtjes, pasi Marc Cucurella ka shprehur dëshirën për t’u larguar nga klubi.

Mbrojtësi spanjoll thuhet se ka kërkuar largimin pas dështimit të londinezëve për të siguruar kualifikimin në Ligën e Kampionëve, ndërsa përfaqësuesit e tij tashmë po shqyrtojnë ofertat e mundshme.

Sipas raportimeve, interesimi për 27-vjeçarin është i madh, Atletico Madridi shihet si destinacioni më i mundshëm për spanjollin, me trajnerin Diego Simeone që e vlerëson lart energjinë, agresivitetin dhe fleksibilitetin taktik të lojtarit.

Gjithashtu, Barcelona, Real Madridi dhe Bayern Munich po monitorojnë situatën e tij.

Chelsea nuk ka ndërmend ta lejojë largimin e Cucurellas pa përfituar një shumë të konsiderueshme, me klubin që vlerëson kartonin e tij mbi 50 milionë euro.

Për këtë arsye, drejtuesit e “Bluve” kanë nisur tashmë punën për gjetjen e zëvendësuesit ideal.

Në listën e ngushtë të kandidatëve ndodhen tre emra të rëndësishëm: Alejandro Grimaldo, Nathaniel Brown dhe Andrea Cambiaso.

Grimaldo konsiderohet një opsion i preferuar për shkak të paraqitjeve të tij të shkëlqyera te Bayer Leverkusen, ku ka punuar nën drejtimin e Xabi Alonsos.

Ndërkohë, Nathaniel Brown i Eintracht Frankfurtit ka tërhequr vëmendjen pas sezonit mbresëlënës në Bundesliga.

Alternativa e tretë është Andrea Cambiaso i Juventusit, një lojtar shumë i vlerësuar në tregun evropian dhe që ndiqet gjithashtu nga Barcelona.

Italiani shihet si një profil që mund t’i japë Chelseat siguri në mbrojtje dhe kontribut të rëndësishëm në fazën sulmuese.

Me të ardhmen e Cucurellas që mbetet e pasigurt, javët në vijim pritet të jenë vendimtare si për largimin e spanjollit, ashtu edhe për zgjedhjen e pasuesit të tij në “Stamford Bridge”.