Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, është takuar me kryeministrin e Çekisë, Andrej Babiš, në margjinat e Samitit BE – Ballkani Perëndimor që po mbahet në Tivat.
Gjatë takimit, Haxhiu e falënderoi Çekinë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në shtetndërtim, në proceset euroatlantike dhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
Ajo vlerësoi marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Çekisë, duke theksuar se avancimi i përfaqësimit diplomatik me ambasadorë të plotë pasqyron nivelin e bashkëpunimit dhe besimin e ndërsjellë mes dy vendeve.
Në takim u diskutua edhe për rrugën evropiane të Kosovës dhe rëndësinë e një procesi të besueshëm të zgjerimit. Haxhiu shprehu mirënjohje për mbështetjen e Çekisë ndaj perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe kërkoi mbështetje për hapat e ardhshëm të Kosovës në këtë proces.
Po ashtu, ajo theksoi se Kosova e sheh Çekinë si partnere të rëndësishme edhe në fushën ekonomike, duke përmendur mundësitë e bashkëpunimit në energji, teknologji të gjelbra, inovacion, digjitalizim, shëndetësi, infrastrukturë dhe industri të avancuar.
Haxhiu shprehu gjithashtu mirënjohjen për kontributin e Çekisë në KFOR dhe për angazhimin e saj në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon.



Të tjera
Leao: Premier League apo LaLiga do të ishte perfekte për mua
Frutat dhe perimet që ngjajnë me organet të cilave u bëjnë mirë
Muja nënshkruan Udhëzimin Administrativ për Subvencionet 2026