Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, është takuar me kryeministrin e Çekisë, Andrej Babiš, në margjinat e Samitit BE – Ballkani Perëndimor që po mbahet në Tivat.
Gjatë takimit, Haxhiu e falënderoi Çekinë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në shtetndërtim, në proceset euroatlantike dhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
Ajo vlerësoi marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Çekisë, duke theksuar se avancimi i përfaqësimit diplomatik me ambasadorë të plotë pasqyron nivelin e bashkëpunimit dhe besimin e ndërsjellë mes dy vendeve.
Në takim u diskutua edhe për rrugën evropiane të Kosovës dhe rëndësinë e një procesi të besueshëm të zgjerimit. Haxhiu shprehu mirënjohje për mbështetjen e Çekisë ndaj perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe kërkoi mbështetje për hapat e ardhshëm të Kosovës në këtë proces.
Po ashtu, ajo theksoi se Kosova e sheh Çekinë si partnere të rëndësishme edhe në fushën ekonomike, duke përmendur mundësitë e bashkëpunimit në energji, teknologji të gjelbra, inovacion, digjitalizim, shëndetësi, infrastrukturë dhe industri të avancuar.
Haxhiu shprehu gjithashtu mirënjohjen për kontributin e Çekisë në KFOR dhe për angazhimin e saj në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon.



Të tjera
Një vezë dhe uthull molle kundër sheqerit në gjak
Ylli 100 milionë eurosh dhe 10 yjet që mbetën jashtë Botërorit 2026
Lamine Yamal shpallet “lojtari i sezonit” në La Liga