Leao: Premier League apo LaLiga do të ishte perfekte për mua – Ekonomia Online

Leao: Premier League apo LaLiga do të ishte perfekte për mua

Sulmuesi portugez i Milanit, Rafael Leao, ka lënë sërish të kuptohet se e ardhmja e tij mund të jetë larg Serie A, duke deklaruar se ka nevojë për një sfidë të re në karrierën e tij.

Në një intervistë për Sport TV në Portugali, ylli i kuqezinjve pranoi se pas disa viteve të suksesshme në Itali, është i gatshëm të provojë veten në një kampionat tjetër, duke veçuar Premier League dhe La Liga-n si destinacionet ideale për stilin e tij të lojës.

“Kam nevojë për një sfidë të re. Kam fituar tashmë dy trofe në Itali dhe kam qenë atje për një kohë të gjatë. Mendoj se Liga Premier ose La Liga do ta nxirrnin më shumë në pah talentin tim si futbollist”, deklaroi Leao.

Portugezi shtoi se një transferim në Angli do ta entuziazmonte veçanërisht, pasi beson se niveli i lartë i konkurrencës do ta ndihmonte të tregonte potencialin e tij maksimal.

“Nëse do të më jepej mundësia të luaja në Ligën Premier, do të isha shumë i lumtur. Atje ka lojtarë të nivelit më të lartë dhe një kampionat i tillë të detyron të japësh më të mirën në çdo ndeshje”, u shpreh ai.

Deklaratat e Leaos vijnë në një periudhë kur raportet mes tij dhe Milanit nuk duken më aq të forta sa në të kaluarën

Mediat italiane kanë raportuar vazhdimisht se drejtuesit e klubit nuk janë të gatshëm të diskutojnë një kontratë të re me lojtarin, pavarësisht faktit se marrëveshja aktuale skadon në verën e vitit 2028.

Kjo situatë ka shtuar spekulimet për një largim të mundshëm gjatë afatit kalimtar veror, me disa klube të mëdha evropiane që po monitorojnë zhvillimet.

Manchester United dhe Arsenal kanë shprehur interesim për sulmuesin portugez, megjithëse deri më tani nuk ka pasur oferta konkrete në drejtim të Milanit.

Nga ana tjetër, ofertat më serioze deri tani raportohet se kanë ardhur nga Galatasaray dhe Fenerbahçe, por Leao nuk e sheh kampionatin turk si hapin e ardhshëm në karrierën e tij, duke preferuar një transferim në një nga ligat elitare të Evropës.