Maqedonci priti studentët nga Zvicra: Kosova po forcon rolin e saj në sigurinë evropiane

Maqedonci priti studentët nga Zvicra: Kosova po forcon rolin e saj në sigurinë evropiane

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur në takim një grup studentësh të nivelit master nga vende të ndryshme të botës, të cilët ndjekin studimet në programin e Shkencave Ndërkombëtare dhe Krahasuese në ETH Zurich.

Sipas Maqedoncit, vizita e studentëve në Kosovë përkoi me aktivitetet përkujtimore që po zhvillohen me rastin e 148-vjetorit të Lidhja Shqiptare e Prizrenit, një ngjarje me rëndësi të veçantë në historinë kombëtare të shqiptarëve.

Gjatë takimit u diskutua për rrugëtimin historik të Kosovës, përpjekjet për liri dhe pavarësi, luftën e UÇK-së, si dhe zhvillimin e institucioneve moderne të sigurisë dhe mbrojtjes. Po ashtu, vëmendje e veçantë iu kushtua transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, sfidave aktuale në sektorin e mbrojtjes dhe ndikimit të teknologjive të reja, përfshirë inteligjencën artificiale, në sigurinë kombëtare.

Në diskutim u trajtuan edhe çështjet e sigurisë rajonale, bashkëpunimi me aleatët ndërkombëtarë, partneriteti me NATO dhe aspiratat e Kosovës për integrim euroatlantik.

Maqedonci falënderoi studentët për interesimin dhe pyetjet e tyre, duke vlerësuar se shkëmbime të tilla akademike dëshmojnë rritjen e interesimit ndërkombëtar për Kosovën, zhvillimin e saj demokratik dhe kontributin në arkitekturën e sigurisë në Evropë.