Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka marrë pjesë në takimin ministror të Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore në Sofje të Bullgarisë, i cili shënoi 30-vjetorin e këtij formati rajonal, përcjell KosovaPost.
Në fjalën e tij, Konjufca theksoi se Evropa Juglindore ka shënuar progres të rëndësishëm gjatë tri dekadave të fundit, por vlerësoi se sfidat aktuale gjeopolitike kërkojnë qartësi strategjike, përgjegjësi politike dhe përkushtim të vazhdueshëm ndaj paqes, stabilitetit dhe orientimit evropian e euro-atlantik të rajonit.
Ai nënvizoi se procesi i integrimit evropian duhet të mbetet i drejtë, i besueshëm dhe i bazuar në merita, duke kërkuar që përparimi i Kosovës në demokraci, sundim të ligjit, luftë kundër korrupsionit, liri të medias dhe zhvillim ekonomik të njihet me hapa konkretë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Konjufca foli edhe për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal përmes projekteve konkrete që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Ai veçoi avancimin e hekurudhës Prishtinë–Durrës dhe përfshirjen e saj në rrjetin evropian të transportit TEN-T si një projekt strategjik për lidhshmërinë e Kosovës dhe rajonit me Bashkimin Evropian.
Sipas tij, po aq të rëndësishme mbeten edhe zbatimi i marrëveshjeve për njohjen e diplomave, lirinë e lëvizjes, si dhe avancimi i marrëveshjeve për të drejtat e sigurimeve sociale dhe lejet e punës.
Gjatë qëndrimit në Sofje, Konjufca zhvilloi edhe një takim dypalësh me ministren e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Velislava Petrova. Në takim u diskutua për procesin e integrimit evropian të Kosovës, perspektivën euro-atlantike të vendit dhe thellimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë.
Konjufca theksoi se Kosova do të vazhdojë të angazhohet që progresi demokratik, orientimi evropian dhe kontributi i saj për stabilitetin rajonal të përkthehen në hapa konkretë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Postimi i plotë:



Të tjera
4 mënyra të pazakonshme për të humbur peshë
Dogana zbulon 19 tonë mall të skaduar në Mitrovicë
Cakolli: Nëse VV-ja i merr 65% të votave të diasporës, mund ta formojë qeverinë