Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara në Hagë, Angela Griep, ka sqaruar përmes një videoadresimi të publikuar në platformën “X” juridiksionin dhe mandatin e Gjykatës Speciale, duke theksuar se ajo nuk mbulon të gjitha krimet e ndodhura gjatë luftës në Kosovë.
Griep ka bërë të ditur se kjo gjykatë nuk ka mandat ekskluziv për të trajtuar çdo rast të krimeve të luftës, duke kujtuar se një pjesë e tyre janë gjykuar më herët nga Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ndërsa raste të tjera janë trajtuar nga gjykata të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare.
“Dhomat e Specializuara me bazë në Hagë s’kanë mandat ekskluziv për të trajtuar secilin krim të ndodhur përgjatë luftës së fundit në Kosovë”, ka deklaruar Griep në videoadresim transmeton Klankosova.
Ajo ka shtuar se gjykata vepron mbi bazën e një mandati të posaçëm të dhënë nga institucionet e Kosovës dhe Bashkimi Evropian.
“Gjykatës i është dhënë mandat specifik nga shteti i Kosovës dhe BE-ja”, është shprehur ajo.
Griep theksoi gjithashtu se në çdo rast të konfirmuar nga gjykata, do të garantohet një proces i drejtë dhe i pavarur.
“Për çdo akuzë që është konfirmuar, gjykata do të sigurohet për gjykim të paanshëm, fer dhe të pavarur, ku të akuzuarit do të kenë të drejtat e tyre, dëshmitarët mbrohen dhe viktimat thonë fjalën e tyre”, ka thënë zëdhënësja e Gjykatës Speciale.



Të tjera
4 mënyra të pazakonshme për të humbur peshë
Dogana zbulon 19 tonë mall të skaduar në Mitrovicë
Cakolli: Nëse VV-ja i merr 65% të votave të diasporës, mund ta formojë qeverinë