Bota e futbollit kthen sytë nga Amerika e Veriut, pasi sonte nis zyrtarisht Kupa e Botës 2026, turneu më i madh në histori me 48 kombëtare dhe 104 ndeshje që do të zhvillohen në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Finalja e madhe do të luhet më 19 korrik, ndërsa ndeshja hapëse zhvillohet në stadiumin legjendar Azteca të Mexico City, ku Meksika përballet me Afrikën e Jugut me fillim nga ora 21:00 me orën tonë lokale.
Për herë të parë, Botërori organizohet nga tre vende njëkohësisht dhe përfshin një format të zgjeruar me 48 ekipe, duke ofruar më shumë ndeshje, më shumë tifozë dhe më shumë mundësi për surpriza.
Ceremonia e hapjes në Meksikë pritet të sjellë një spektakël të madh muzikor, ndërsa vendet pritëse do të organizojnë aktivitete festive për të shënuar fillimin e turneut.
Spanja dhe Franca mes favoritëve kryesorë
Shumë analistë e konsiderojnë Spanjën si një nga favoritët kryesorë për trofeun. Në qendër të vëmendjes është talenti 18-vjeçar Lamine Yamal, i cili tashmë konsiderohet një nga yjet më të mëdhenj të futbollit botëror.
Franca mbetet një pretendente serioze falë skuadrës së mbushur me cilësi dhe pranisë së Kylian Mbappé, ndërsa në garë për trofeun janë edhe Argjentina, Brazili, Anglia dhe Portugalia.
Lamtumira e një brezi legjendash
Botërori 2026 mund të shënojë paraqitjen e fundit në skenën më të madhe të futbollit për Lionel Messin dhe Cristiano Ronaldon. Argjentina do të synojë të mbrojë titullin e fituar në Katar, ndërsa Messi kërkon të mbyllë karrierën ndërkombëtare me një tjetër sukses historik.
Formati i ri sjell mundësi për surpriza
Zgjerimi i turneut ka hapur dyert për kombëtare që rrallëherë kanë qenë pjesë e Kupës së Botës. Ekipe si Jordania, Curaçao dhe vende të tjera debutuese do të kërkojnë të shkruajnë historinë e tyre.
Historia ka treguar se Botërori prodhon gjithmonë surpriza të mëdha dhe heronj të rinj. Nga Kameruni në vitin 1990 te Senegali në vitin 2002, skena më e madhe e futbollit ka qenë gjithmonë vendi ku lindin historitë e pabesueshme.
Nga sonte, për më shumë se një muaj, ritmi i zakonshëm i jetës do të ndërthuret me emocionet e Kupës së Botës, ndërsa miliarda tifozë anembanë globit do të ndjekin spektaklin më të madh sportiv në planet. /Telegrafi/



Të tjera
Arrestohet gruaja që dyshohet se rrëmbeu një të mitur në Vushtrri
Kosova tërhiqet nga Kampionati Evropian i Golf-it, Qipro nuk lejoi paraqitjen me simbolet shtetërore
Këto janë frutat që ndikojnë në shkrirjen e dhjamit