Në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), të mbajtur në Sofje nën kryesimin bullgar, liderët e vendeve pjesëmarrëse miratuan Deklaratën e Sofjes, Raportin Vjetor të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC) dhe Përditësimin Afatmesëm të Strategjisë SEE2030.
Deklarata e Samitit shënon 30-vjetorin e SEECP-së dhe rikonfirmon rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, stabilitetit, sigurisë dhe qëndrueshmërisë në Evropën Juglindore. Në të njëjtën kohë, liderët vlerësuan punën e RCC-së në forcimin e koordinimit rajonal dhe avancimin e integrimit evropian.
Sekretari i Përgjithshëm i RCC-së, Amer Kapetanoviq, tha se rajoni ka nevojë për një qasje më të fortë strategjike përballë sfidave globale.
“Tridhjetë vite më parë, SEECP ndihmoi në rikthimin e kulturës së dialogut. Sot, ai duhet të ndihmojë në ndërtimin e kulturës së zbatimit strategjik. Bashkëpunimi rajonal nuk është slogan. Është domosdoshmëri,” deklaroi Kapetanoviq.
Ai paralajmëroi se Evropa Juglindore po përballet me “trekëndëshin e presioneve” të demografisë, produktivitetit dhe qëndrueshmërisë, duke theksuar se përgjigjet e fragmentuara nuk janë më të mjaftueshme.
Liderët e SEECP-së përshëndetën kontributin e RCC-së si krah operacional i procesit, duke vlerësuar rolin e tij në shndërrimin e prioriteteve politike në rezultate konkrete për qytetarët, bizneset dhe institucionet.
Deklarata e Sofjes rikonfirmon gjithashtu perspektivën e Bashkimit Evropian për vendet pjesëmarrëse që synojnë anëtarësimin, rëndësinë e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe rolin e Tregut të Përbashkët Rajonal në avancimin e integrimit ekonomik dhe afrimin me Tregun e Vetëm të BE-së.
Samiti përfundoi me dorëzimin zyrtar të kryesimit të SEECP-së nga Sofja te Bukureshti, i cili do të udhëheqë agjendën e bashkëpunimit rajonal në periudhën e ardhshme.



Të tjera
Haxhiu për presidentin: Pas certifikimit të rezultatit zgjedhor, duhet të ulemi dhe të flasim
A duhet të mbeteni miq me ish-të dashurin?
Sot nis numërimi i votave nga përfaqësitë diplomatike