Dionis Krasniqi, talenti që po lë gjurmë në notin kosovar – Ekonomia Online

Dionis Krasniqi, talenti që po lë gjurmë në notin kosovar

Në sport ka garues të shumtë, por vetëm pak prej tyre arrijnë të dallohen vazhdimisht me rezultate të jashtëzakonshme. Njëri prej tyre është notari i ri Dionis Krasniqi, i cili po vazhdon të shkëlqejë në çdo garë ku merr pjesë.

Klubi i Notit Besa nga Malisheva e ka vlerësuar lart paraqitjen e talentit të ri, duke theksuar se Dionisi po dëshmon se suksesi nuk është rastësi, por rezultat i punës, përkushtimit dhe disiplinës së vazhdueshme.

Sipas klubit, sa herë që Dionis Krasniqi futet në pishinë, ai shndërrohet në një pretendent serioz për podium, duke u kthyer shpesh në shtëpi me medalje dhe rezultate që flasin vetë. Performancat e tij kanë tërhequr vëmendjen e komunitetit sportiv dhe po e pozicionojnë atë si një nga shpresat më të mëdha të notit në vend.

“Dionisi premton shumë dhe po e vërteton këtë në çdo garë ku merr pjesë. E ardhmja e notit mban vulën e tij”, thuhet në vlerësimin e Klubit të Notit Besa.

Me talentin, vullnetin dhe rezultatet që po regjistron, Dionis Krasniqi po ndërton një emër që pritet të dëgjohet edhe më shumë në vitet e ardhshme, duke u shndërruar në një prej sportistëve më premtues të gjeneratës së re.