Në ditën e dytë të Javës së Modës në Milano, shtëpia italiane e modës Dolce & Gabbana prezantoi koleksionin për meshkuj SS27. Në pasarelë mbizotëroi estetika e markës “molto sexy”, me veshje të guximshme që përfshinin vesta të ngushta, mikro-shorte dhe modele të cilët parakaluan pa këmisha. Xhinset ishin të grisura ose të mbuluara me gurë të shkëlqyeshëm, ndërsa bluzat shfaqnin printime të limonëve sicilianë, amfiteatrove antike dhe një mozaik të Krishtit.
Kjo ishte shfaqja e parë e markës për meshkuj që nga largimi i Stefano Gabbana nga posti i kryetarit të kompanisë. Në mars u njoftua se dizajneri kishte dhënë dorëheqjen në dhjetor të vitit të kaluar nga posti që mbante në kompaninë e themeluar me Domenico Dolce në vitin 1985. Në janar, ish-drejtori ekzekutiv i Gucci-s, Stefano Cantino, u emërua bashkë-drejtor ekzekutiv përkrah Alfonso Dolce. Roli i Gabbana si bashkë-drejtor kreativ mbetet i pandryshuar.
Shtëpia e modës po përballet me një borxh prej 391 milionë paundësh. Sipas raporteve, marka po shqyrton mundësinë e shitjes dhe marrjes me qira të disa pronave që zotëron në Milano, si pjesë e negociatave me kreditorët. Pavarësisht vështirësive në tregun e luksit, marka vazhdon të jetë e pranishme në tapetet e kuqe, me figura si Colman Domingo, Patrick Schwarzenegger dhe Ryan Gosling.
Në të njëjtën ditë, dizajneri britanik Paul Smith prezantoi koleksionin e tij, duke u fokusuar te kostumet. Smith, i cili do të mbushë 80 vjeç muajin e ardhshëm, ia atribuoi rikthimin e kostumeve dëshirës së të rinjve për t’u veshur ndryshe nga prindërit e tyre. Ai përmendi Harry Styles si një shembull të këtij stili, duke theksuar se ekipi i tij ka përdorur referenca nga arkiva e tij në Nottingham, e cila përmban mbi 5,000 pjesë.
Smith shpjegoi se synon ta bëjë kostumin më të relaksuar përmes detajeve si mëngët e palosura ose këmishat e pafutura brenda pantallonave. Koleksioni përfshinte pëlhura të lehta dhe detaje të veçanta, si butonat në formë syri krokodili dhe karfica në jakë.



Të tjera
Starmer reflekton mbi “realitetet politike” mes raportimeve për dorëheqje
Nuk hani perime? Gjenet mund të jenë fajtore
AC Milan Junior Camp Prishtina hap zyrtarisht edicionin e dytë