Zbulohet sekreti i Hysni Gucatit – Mënyra ‘shokuese’ se si po merr pagën pa shkelur në punë!

Publicisti dhe analisti Lirim Gashi ka publikuar një shkrim satirik kushtuar ish-kreut të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, duke ironizuar pretendimet dhe akuzat që janë përfolur ndër vite për të.

Në shkrimin e titulluar “Hysni Gucati dhe gjenialiteti i të punuarit pa shkuar në punë”, Gashi përdor një gjuhë të mprehtë satirike për të komentuar raportimet dhe debatet publike që lidhen me përfitimin e pagës si sekretar shkolle për një periudhë të gjatë kohore, si dhe me çështje të tjera që kanë qenë objekt diskutimi në opinion.

Autori e paraqet Gucatin si një “fenomen administrativ”, duke ironizuar idenë e marrjes së pagës pa prani në vendin e punës dhe duke e cilësuar këtë si një “arritje revolucionare” në administratën publike. Në të njëjtën frymë, ai prek edhe pretendimet për përfitime në sektorin e bujqësisë dhe pronësisë së tokave, duke përdorur krahasime dhe figura letrare për të theksuar kritikën e tij.

Një pjesë e shkrimit i kushtohet edhe Organizatës së Veteranëve të Luftës, ku Gashi ironizon fenomenin e fryrjes së listave të veteranëve dhe pretendimeve për pjesëmarrje në luftë nga persona që, sipas tij, nuk kanë qenë pjesë e saj.

Shkrimi i plotë:

HYSNI GUCATI DHE GJENIALITETI I TË PUNUARIT PA SHKUAR NË PUNË

Autor: Lirim Gashi

Në disa anë të botës, njeriu duhet të shkojë në punë për të marrë pagë. Mirëpo, kjo është një metodë primitive dhe e vjetruar. Në trojet tona kanë lindur talentë shumë më të përparuar.

Për gati dy dekada paska marrë pagë si sekretar shkolle, pa e lodhur veten me atë detaj të parëndësishëm që quhet prani në vendin e punës.

Ky përbën kontributin më revolucionar në fushën e administratës publike.

Deri më sot besohej se puna kryhej në vendin e punës.

Madje, sipas kritikëve të tij, as qëndrimi në burg nuk ia paska ndërprerë vazhdimësinë e pagës.

Kjo dëshmon se teknologjia kosovare e pagesave abstrakte ka arritur nivele që as NASA ende nuk i ka imagjinuar.

Edhe në fushën e bujqësisë thuhet se paska treguar talent të jashtëzakonshëm.

Por kulmi i suksesit të tij afarist është shumëfishimi i të ardhurave.

Punëtori i zakonshëm mezi arrin të sigurojë një pagë.

Gjeniu administrativ, Hysni Gucati, siguron disa burime të ardhurash njëkohësisht. Kjo është ekonomia grabitqare në formën e saj më të pastër.

Ndërkohë, deputetët e zonës së Drenicës e vështrojnë këtë fenomen me admirim pothuajse shkencor.

Asnjëri nuk nxiton të bëjë pyetje të pakëndshme. Ndoshta nga frika se mos zbulohet sekreti dhe pastaj të gjithë detyrohen të shkojnë në punë për të marrë pagë.

Dhe kur Hysni Gucati organizon protesta për drejtësi, qytetari i thjeshtë mbetet i hutuar.

Nuk e di nëse po sheh një aktivist, një administrator, një veteran, një pronar tokash apo një artist të mashtrimit fiskal.

Sepse në Kosovë, ndonjëherë realiteti është aq satirik, saqë edhe satiristi mbetet pa punë.

Ai vetëm ulet në një qoshe, mban shënime dhe pyet veten:

“Nëse kjo është tragjikomedi, atëherë kush po e shkruan skenarin?”

Nuk është aspak çudi që Organizatën e Veteranëve të Luftës, të cilën e drejton, e ka mbushur me heronj që luftën e kanë ndjekur nga divani.

Disa prej tyre madje e kanë parë në televizorët bardhezi të markës “Rudi Čajavec” dhe, për shkak të mungesës së informacionit, për javë të tëra kanë besuar se po ndiqnin filmat “Sutjeska”, “Neretva” ose “Kozara”.

Kur përfundoi lufta, mbetën të habitur.

Nuk e kuptonin se si NATO-ja kishte hyrë në tregim, sepse sipas versionit të tyre të historisë, ende prisnin që partizanët e Titos të shpallnin Republikën e Uzhicës diku mes Drenicës dhe Dukagjinit.

Më vonë, shumë prej tyre u bënë ekspertë të betejave që nuk i kishin parë kurrë, dëshmitarë të ngjarjeve ku nuk kishin qenë asnjëherë dhe veteranë të sakrificave që i kishin bërë të tjerët.

Në Kosovë, kujtesa është aq e shlyer, saqë biografitë nganjëherë shkruhen me më shumë fantazi sesa romanet.

Prandaj këtu biografia nuk është dokument.

Ajo është një zhanër letrar.

Shkruhet sipas nevojës, zbukurohet sipas rastit dhe korrigjohet sipas interesit.

Në fillim njeriu paraqitet si dëshmitar.

Pastaj si pjesëmarrës.

Më pas si organizator.

Dhe në fund, po pati durim të mjaftueshëm, përfundon si themelues i vetë ngjarjes.

Kjo është arsyeja pse satiristi ballkanik e ka më të lehtë se kolegu i tij evropian.

Atij nuk i duhet të shpikë asgjë.

Mjafton t’i dëgjojë rrëfimet që tregohen nëpër kafene dhe t’i shkruajë ashtu siç i ka dëgjuar.

Pastaj lexuesi zemërohet dhe thotë:

— Kjo është e pamundur!

Dhe satiristi përgjigjet:

— Edhe unë ashtu mendova, por pastaj pashë që realiteti kishte mbërritur në vendin e ngjarjes para imagjinatës.