Tahiraj ‘shkund’ themelet e LDK-së – Kush janë përgjegjësit që po e mbajnë peng partinë e Rugovës?

Lidhja Demokratike e Kosovës në këto zgjedhje ka dalë e treta, me 17.60 për qind apo 18 deputetë – nga 15 deputetë sa kishte në dhjetor.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kërkuar të ndalohen eksperimentet me LDK-në dhe të rikthehet te elektorati i saj tradicional.

Sipas tij, LDK nuk është pronë e askujt.

“Eksperimente me LDK-në dhe me të ardhmen e saj nuk do të ketë.

Veprimtari Saim Tahiraj në një prononcim për “Bota sot”, vlerëson se LDK-ja është larguar nga parimet dhe rrënjët mbi të cilat u ndërtua, duke u përfshirë në eksperimente politike që, sipas tij, kanë sjellë rënie të vazhdueshme elektorale.

Ai thekson se LDK-ja u themelua për interesin kombëtar dhe jo për interesa personale apo klanore, ndërsa kujton rolin historik të Presidentit Ibrahim Rugova dhe LDK-së në arritjen e lirisë, pavarësisë dhe forcimin e aleancës me SHBA-në dhe Perëndimin.

Sipas Tahirajt, demokracia në Kosovë vazhdon të përballet me pengesa për shkak të interesave klanore brenda partive politike.

“E kam theksuar disa herë, në etapa të ndryshme të historikut të LDK-së, dhe po e përsëris edhe tani se LDK-ja ka dalë nga shtrati i saj tradicional. Në momentin kur një subjekt politik largohet nga themelet mbi të cilat është themeluar dhe ka ndërtuar identitetin e vet, ai nuk është më vetvetja. Atëherë fillojnë eksperimentet pa bazament të qëndrueshëm, duke kopjuar modele të huaja që nuk i përshtaten fytyrës reale të LDK-së.

Presidenti Rugova dhe bashkëpunëtorët e tij, së bashku me veprimtarët dhe anëtarët e LDK-së, dhanë gjithçka nga vetja për realizimin e misionit të shenjtë: “Liri, Pavarësi, Demokraci”. Me shumë sakrifica, vuajtje e tragjedi, më në fund u arrit kjo fitore historike e popullit shqiptar.

Falë vizionit të Presidentit Rugova dhe LDK-së, arritëm të fitojmë simpatinë dhe përkrahjen e fuqishme të SHBA-së dhe të shteteve demokratike perëndimore. Pra, falë këtij bashkëpunimi të shkëlqyer ndërmjet sakrificës së popullit shqiptar dhe mbështetjes së miqve tanë amerikanë e evropianë perëndimorë, u arrit liria dhe pavarësia. Demokracia vazhdon të zhvillohet me vështirësi për shkak të interesave klanore që janë barrikaduar brenda partive politike”, u shpreh Tahiraj për gazetën.

Duke vazhduar kritikat e tij, Tahiraj thotë se LDK-ja është larguar nga orientimi i saj tradicional perëndimor dhe është përfshirë në përplasje të brendshme klanore, të cilat sipas tij po dëmtojnë partinë.

Image

Saim Tahiraj

Ai mbështet thirrjen e deputetit Avdullah Hoti për rikthimin e vlerave tradicionale të LDK-së, duke theksuar se vetëm përmes reformave të thella, reflektimit dhe largimit të përgjegjësve për dështimet, partia mund të rikthejë fuqinë politike.

Sipas Tahirajt, nëse nuk ndryshohet kursi aktual, LDK-ja rrezikon të vazhdojë rënien, me pasoja jo vetëm për partinë, por edhe për Kosovën.

“Në këtë pikë, LDK-ja ka dalë nga shtrati i saj tradicional me orientim të qartë perëndimor, duke koketuar me Islamin politik për një grusht votash. Klanet e ndryshme zhvillojnë një luftë të ashpër brenda Kryesisë, Këshillit të Përgjithshëm dhe strukturave të tjera, për realizimin e interesave personale dhe klanore.

Avdullah Hoti, me të drejtë, ka kërkuar rikthimin e vlerave tradicionale të LDK-së, sepse vetëm duke qenë vetvetja, me fytyrën e saj të vërtetë, ajo mund të fillojë rrugëtimin drejt konsolidimit dhe rikthimit si faktor i fuqishëm në skenën politike.

Ata që mbajnë përgjegjësi për këto dështime duhet ta pranojnë atë dhe të reflektojnë pozitivisht, duke u larguar nga organet drejtuese. Duhet të ndërmerren reforma të thella, si në vijën vertikale ashtu edhe në atë horizontale të organizimit dhe strukturimit të partisë.

LDK-ja është shumë më e madhe dhe më e rëndësishme për shtetin sesa interesat personale apo klanore të kujtdo. Nëse arrihet tejkalimi i këtyre interesave, LDK-ja mund të fuqizohet shumë shpejt, sepse ka një anëtarësi idealiste dhe besnike ndaj saj.

Nëse vazhdohet me të njëjtën mënyrë veprimi si deri më tani, jam i bindur se rënia do të vazhdojë edhe më tej, dhe kjo do të jetë në dëm të shtetit dhe të popullit të Kosovës.

Duhet maturi, përgjegjësi dhe reflektim, nëse vërtet ia duam të mirën LDK-së dhe Kosovës sonë të dashur” – përfundoi ai