Algjeria dhe Austria do të përballen në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve të Kupës së Botës këtë fundjavë, dhe ajo mund të rezultojë një nga ndeshjet më kontroverse në historinë e futbollit.
Kjo sepse, në një kthesë të pazakontë, të dyja ekipet mund të përfitojnë më shumë nga humbja sesa nga fitorja në përballjen e Grupit J.
Kampionia në fuqi e botës, Argjentina, pritet të kryesojë grupin pasi ka mposhtur tashmë të dyja skuadrat, me Lionel Messin që ka shkëlqyer duke shënuar pesë gola në dy ndeshjet e para.
Pasi siguroi kualifikimin në fazën e 1/16-ave, skuadra e drejtuar nga Lionel Scaloni do të përballet me Jordaninë, e cila tashmë është eliminuar, në ndeshjen e fundit të grupit në Arlington, Teksas.
Në të njëjtën kohë, Algjeria dhe Austria do të përballen në një duel vendimtar në Kansas City, që do të përcaktojë skuadrën që do të përfundojë në vendin e dytë.
Të dyja ekipet kanë nga tri pikë pas fitoreve ndaj Jordanisë dhe asnjëra nuk mund të përfundojë në vendin e katërt për shkak të rëndësisë së re që i është dhënë rekordeve të përballjeve direkte.
Megjithatë, është humbësi ai që me shumë gjasa do të përfitojë një kundërshtar më të lehtë dhe më të kalueshëm në raundin e parë me eliminim direkt.
Austria aktualisht mban vendin e dytë me një avantazh të ngushtë, por sipas situatës aktuale është në rrugë për t’u përballur me kampionen e Evropës, Spanja, në fazën e 1/16-ave.
Ky edicion i Kupës së Botës, me 48 skuadra dhe 12 grupe, parashikon që tetë ekipet më të mira të renditura në vendin e tretë të kualifikohen në fazën me eliminim direkt.
Përfundimi në vendin e tretë në Grupin J mund të nënkuptojë një përballje me një fitues grupi dukshëm më të dobët dhe me renditje më të ulët në FIFA.
Kundërshtarët më të mundshëm janë Belgjika ose Egjipti, të cilat pritet të avancojnë nga Grupi G, megjithëse ekzistojnë edhe skenarë të tjerë në varësi të rezultateve.
Veçantia e kësaj situate është se ndeshja Algjeri – Austri zhvillohet pasi të kenë përfunduar të gjitha ndeshjet e grupeve të tjera, që do të thotë se të dyja ekipet do të futen në fushë duke ditur saktësisht se kë do të përballin në raundin tjetër në varësi të pozicionit të tyre.
Edhe një barazim do t’i siguronte Algjerisë vendin e tretë, pasi Austria ka golavarazh më të mirë, duke i lënë skuadrës së Ralf Rangnick një kundërshtar më të vështirë në fazën e 1/32-ave.
Një skenar i ngjashëm ndodhi në vitin 2018, kur Anglia humbi ndeshjen e fundit të grupit ndaj Belgjikës për të përfunduar e dyta, por në fund përfitoi një rrugë më të favorshme drejt fazave të avancuara.
Anglia shmangu Japoninë në 1/8-at e finales dhe më pas shmangu Brazilin dhe Francën në raundet pasuese.
Në vend të tyre, u përball me Kolumbinë dhe Suedinë përpara se të eliminohej nga Kroacia në gjysmëfinale.
Në të kaluarën, Algjeria dhe Austria kanë qenë protagoniste të një prej episodeve më kontroverse në historinë e Kupës së Botës.
Në Botërorin e vitit 1982, kur fitoret vlenin dy pikë, Algjeria mposhti Gjermaninë Perëndimore dhe Kilin në dy ndeshjet e para.
Më pas, Gjermania Perëndimore dhe Austria u përballën në ndeshjen e fundit të grupit duke e ditur rezultatin që do t’i kualifikonte të dyja skuadrat.
Gjermania Perëndimore fitoi 1-0, rezultat që bëri që të dyja skuadrat të përfundonin me katër pikë, ndërsa Algjeria u eliminua për shkak të golavarazhit.
Ndeshja u quajt “Turpi i Gijónit” (Disgrace of Gijón), sepse pas golit të hershëm të Horst Hrubesch, të dyja ekipet filluan ta qarkullonin topin pa synim sulmues, duke ditur se rezultati aktual i kualifikonte të dyja.
Ky episod çoi në një ndryshim të rëndësishëm të rregullave nga FIFA, e cila vendosi që ndeshjet e fundit të fazës së grupeve të luhen në të njëjtën kohë për të garantuar më shumë drejtësi sportive.



Të tjera
Vetullave tatuazh u ka ikur koha
Gërbeshi: Pas shumicës së drejtorive, PDK-ja po i kap edhe katër Ndërmarrje Komunale të Prishtinës
Kurti: Vullneti i popullit të përkthehet në institucione funksionale