Ish-luftëtari i UÇK-së, Dritan Goxhaj, ka reaguar pas akuzave të kryeministrit Edi Rama, i cili e ka quajtur “agjent të Iranit, gjysmë taleban dhe gjysmë mitoman”.
Në një intervistë për mediat, Goxhaj tha se nuk merret me kryeministrin dhe me ata që, sipas tij, janë angazhuar në sulme publike ndaj tij dhe ndaj grupit koordinator të protestave.
“Unë e mirëkuptoj Ramën në hallin që ka, halli i tij është ekzistencial,” u shpreh Goxhaj. Sipas tij, kryeministri “i ka dhënë premtime krimit të organizuar, dhe këto premtime paguhen me kokë” — premtime për pastrim parash përmes hoteleve që do të ndërtohen me ligjet e investimeve strategjike, si dhe premtime ndaj oligarkëve që ndërtojnë infrastrukturën me çmime, sipas tij, “stratosferike”.
Goxhaj e përshkroi situatën si bashkim të “trinomit” politikë–krim–oligarki, duke thënë se krimi dhe oligarkia “e kanë marrë peng” kryeministrin. “Në momentin që ky mendon dorëheqjen, ky mendon kokën,” tha ai, duke shtuar se rreziku ndaj Ramës nuk vjen nga protestuesit, të cilët, sipas tij, do të uleshin menjëherë në tryezë për një qeveri tranzitore, por nga ata që i kanë “garantuar parajsën” për ta mbajtur në pushtet.
Më tej, ai iu drejtua anëtarëve të grupit koordinator duke i nxitur të mos bien pre e provokimeve: “Në rast se të kafshon një qen, ti çfarë bën? Kthehesh e kafshon dhe ti qenin?”
Reagimi i Goxhajt vjen pas deklaratave të Ramës, i cili më herët e kishte cilësuar si “manipulator, gjysmë taleban e gjysmë mitoman”, duke publikuar gjithashtu një mesazh që, sipas tij, i ishte dërguar nga një qytetar me gjuhë fyese ndaj kreut të qeverisë. Edhe përfaqësues të tjerë të Partisë Socialiste kanë reaguar publikisht ndaj Goxhajt, pas prezantimit të kërkesave të protestës nga grupi koordinator.



Të tjera
Vetullave tatuazh u ka ikur koha
Gërbeshi: Pas shumicës së drejtorive, PDK-ja po i kap edhe katër Ndërmarrje Komunale të Prishtinës
Kurti: Vullneti i popullit të përkthehet në institucione funksionale