Rizvanolli: Kosova nuk ka refuzuar gazin amerikan, por ka zgjedhur zgjidhje më praktike dhe ekonomike

Rizvanolli: Kosova nuk ka refuzuar gazin amerikan, por ka zgjedhur zgjidhje më praktike dhe ekonomike

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka mohuar pretendimet se Qeveria e Kosovës është kundër importit të gazit të lëngëzuar (LNG) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke theksuar se strategjia energjetike e vendit mbështetet në shfrytëzimin e thëngjillit dhe burimeve të ripërtëritshme vendore.

Përmes një videoje të publikuar në Facebook, Rizvanolli tha se Kosova nuk ka zgjedhur importin e energjisë nga vendet e rajonit në vend të prodhimit vendor apo LNG-së amerikane, por ka ndjekur një qasje që, sipas saj, është më praktike dhe ekonomikisht më e favorshme.

“Nuk është e vërtetë që Qeveria e Kosovës është kundër gazit të lëngëzuar nga SHBA (LNG), siç po thuhet. Ne qysh më 2022 kemi nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me Shqipërinë me synim bashkëpunimin me termocentralin e Vlorës për energji”, deklaroi ajo.

Sipas Rizvanollit, në vend të ndërtimit të një gazsjellësi dhe infrastrukturës përcjellëse në Kosovë, vendi mund të përfitojë duke importuar LNG-në përmes Vlorës, ku do të prodhohej energjia elektrike dhe më pas do të transmetohej në Kosovë përmes linjës ekzistuese të interkoneksionit 400 kV.

“Në vend të ndërtimit të gazsjellësit dhe infrastrukturës përcjellëse të gazit, që merr kohë dhe ka kosto të lartë, ne mund të importojmë LNG-në përmes Vlorës, të prodhojmë energjinë elektrike atje dhe ta transmetojmë atë përmes linjës së interkoneksionit 400 kV, të cilën e kemi të gatshme sot dhe nuk kërkon asnjë cent investim shtesë”, u shpreh ministrja në detyrë.

Ajo shtoi se kjo qasje synon të sigurojë furnizim më efikas dhe më ekonomik me energji elektrike, duke shfrytëzuar infrastrukturën ekzistuese dhe duke shmangur investimet e mëdha në ndërtimin e një rrjeti të ri të gazit.