Çfarë do të thotë kjo? Radoiçiq shihet në tubimin e Vuçiqit në Beograd

Pamje që kanë qarkulluar në rrjetet sociale dhe në faqet serbe tregojnë se Milan Radoiçiq ka marrë pjesë në tubimin e organizuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 27 qershor në Beograd.

Prania e Radoiçiqit në një aktivitet publik të udhëhequr nga presidenti serb ka tërhequr vëmendje, pasi ai është personi që mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit të armatosur terrorist në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023.

Në atë sulm u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa grupi i armatosur u përlesh me forcat e sigurisë së Kosovës.

Pas ngjarjes, Radojçiq pranoi publikisht se kishte organizuar grupin e armatosur që kreu sulmin, ndërsa autoritetet e Kosovës e kërkojnë me urdhër arrest nga Interpoli.

Ndërkaq, vlen të ceket që Bllagoje Spasojeviq dhe Vlladimir Tolliq u dënuan me burgim të përjetshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për sulmin e armatosur në Banjskë, ndërkaq Dushan Maksimoviq u dënua me 30 vjet burgim. Ndërsa, mbi 40 të tjerë në krye me Radojçiqin sillen ende të lirë në Serbi.

Shfaqja e tij në tubimin e Vuçiqit vjen kur presidenti serb mbajti një fjalim me tone nacionaliste, duke përsëritur pretendimet e Serbisë ndaj Kosovës dhe duke paralajmëruar demonstrimin e forcës ushtarake gjatë aktiviteteve të Vidovdanit.

Në fjalimin e tij, Vuçiq deklaroi se Kosova është pjesë e Serbisë dhe u bëri thirrje qytetarëve të ndjekin paradën ushtarake, duke theksuar se “nesër do ta shihni forcën e Ushtrisë suaj”.