Izraeli dhe SHBA-ja kanë nënshkruar një marrëveshje sipas së cilës Washingtoni do të marrë për 1 dollar një parcelë toke në Kuds, e cila më parë i përkiste palestinezëve, për të ndërtuar selinë e përhershme të Ambasadës së SHBA-së në qytet, transmeton Anadolu.
Ministria e Punëve të Jashtme e Izraelit njoftoi se ministri Gideon Saar dhe ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, nënshkruan marrëveshjen në prani të kryetarit të Bashkisë së Kudsit, Moshe Lion, për caktimin e tokës për ndërtimin e kompleksit të përhershëm të ambasadës amerikane në Kuds.
“Marrëveshja e qirasë për tokën është për 99 vjet dhe SHBA-ja do t’i paguajë Izraelit shumën prej 1 dollari”, tha Huckabee.
Gjatë mandatit të tij të parë në dhjetor të vitit 2017, presidenti amerikan, Donald Trump, e njohu Kudsin si kryeqytet të Izraelit dhe urdhëroi transferimin e Ambasadës amerikane nga Tel Avivi. Selia e përkohshme e ambasadës u hap në maj të vitit 2018.
Vendimi shkaktoi kritika të gjera ndërkombëtare në atë kohë, pasi u konsiderua si shkelje e konsensusit ndërkombëtar mbi statusin e Kudsit.
Në vitin 2022, organizata për të drejtat e njeriut në Izrael, Adalah, tha se toka e caktuar për kompleksin e ambasadës ishte konfiskuar nga palestinezët në bazë të Ligjit izraelit të vitit 1950 për Pronat e Mungesës.
Sipas organizatës, dokumentet arkivore dëshmojnë se toka u përkiste familjeve palestineze para vitit 1948 dhe ishte dhënë me qira autoriteteve të Mandatit Britanik.
Adalah tha se zgjerimi i Ambasadës amerikane në Kuds dhe konfiskimi i tokës së caktuar për të shkelin të drejtën ndërkombëtare, veçanërisht nenin 46 të Rregulloreve të Hagës, i cili ndalon konfiskimin e pronës private.
OKB-ja e konsideron Kudsin Lindor pjesë të territorit palestinez të pushtuar në vitin 1967 dhe theksojnë se çdo masë që synon ndryshimin e karakterit ose statusit juridik të qytetit nuk ka efekt ligjor sipas së drejtës ndërkombëtare.
Pavarësisht zhvendosjes së ambasadës amerikane në Kuds në vitin 2018, shumica e vendeve vazhdojnë t’i mbajnë ambasadat e tyre në Izrael në Tel Aviv, në përputhje me qëndrimin ndërkombëtar mbi statusin e qytetit.



Të tjera
Vetitë shëndetësore të rrepave
Ja si të holloni gjakun dhe të parandaloni mpiksjen e gjakut
Gjini: Kushdo që kërkon votat e Aleancës për Presidentin duhet t’i pranojë këto 6 kërkesa në të mirë të qytetarëve të Kosovës