Sipas raportimeve, Alvaro Arbeloa po synon të marrë me vete talente nga ish-klubi i tij, Real Madridi, pasi të marrë drejtimin e Fulhamit.
Spanjolli u largua nga Reali në fund të sezonit 2025/26, pasi ishte promovuar nga ekipi B i klubit për të zëvendësuar Xabi Alonson në mes të sezonit.
Arbeloa kaloi pesë muaj pa fituar asnjë trofe në krye të “Los Blancos” dhe largimi i tij u konfirmua në fillim të këtij muaji, ndërsa Jose Mourinho u rikthye në stolin e “Bernabeut” për një mandat të dytë.
Megjithatë, Arbeloa nuk do të mbetet gjatë pa punë, pasi pritet të nënshkruajë një kontratë trevjeçare për t’u bërë trajneri i ri i Fulhamit, duke zëvendësuar Marco Silvan, i cili mori drejtimin e Benficas.
Një leje pune ka vonuar njoftimin zyrtar, por “MARCA” raporton se Arbeloa tashmë ka nisur punën për të përforcuar skuadrën e “Cottagers”.
43-vjeçari e njeh jashtëzakonisht mirë strukturën e akademisë së Real Madridit dhe dëshiron që katër talente të bashkohen me të në “Craven Cottage”.
Një nga talentet më premtues që ka dalë nga “La Fabrica” në vitet e fundit është Thiago Pitarch, i cili sezonin e kaluar zhvilloi 16 ndeshje me ekipin e parë.
Pasi kishte bërë debutimin e tij me të rriturit vetëm pak javë më parë, 18-vjeçari u hodh në fushë në ndeshjen e fazës së 1/8 së finales së Ligës së Kampionëve kundër Manchester Cityt për shkak të krizës së dëmtimeve, duke dhuruar një paraqitje shumë të sigurt në mesfushë.
Pitarch konsiderohet si xhevahiri i vërtetë i akademisë, ndërsa Cesar Palacios dhe Manuel Angel luajtën nga shtatë ndeshje secili, kurse Jorge Cestero u aktivizua në pesë takime.
Edhe pse Arbeloa i promovoi ata në ekipin e parë, nuk ka shumë gjasa që të kenë të njëjtat mundësi nën drejtimin e Mourinhos, pasi Real Madridi është shumë aktiv në tregun e transferimeve dhe tashmë ka afruar katër lojtarë të rinj.
“MARCA” shkruan se Arbeloa “mban çelësin për transferimin e shumë lojtarëve të akademisë, të cilët pa dyshim do ta ndjekin atë në destinacionin e tij të ardhshëm”, si dhe se ai “do të përpiqet të sjellë disa prej tyre në projektin e tij”.
Emërimi i Arbeloas nga Fulhami thuhet se është pjesë e planit të klubit për të ndryshuar filozofinë dhe qasjen, me synimin për të luftuar për një vend në garat evropiane.
Fulhami e mbylli sezonin e kaluar në vendin e 11-të, vetëm një pikë pas Brentfordit dhe Brightonit, të cilët siguruan pjesëmarrjen në garat evropiane për sezonin e ardhshëm.
Përveç largimit të Silvës pas përfundimit të kontratës së tij, në skuadër kanë ndodhur edhe ndryshime të tjera.
Si Raul Jimenez ashtu edhe Harry Wilson nuk arritën marrëveshje për kontrata të reja me klubin londinez.
Jimenez u rikthye te Wolves, ndërsa Leeds është shumë pranë transferimit të Wilsonit.
Klubi ka përfunduar tashmë një afrim, pasi Jonah Kusi-Asare është transferuar përfundimisht.
Talenti suedez e kaloi sezonin e kaluar në huazim te Fulhami nga Bayern Munichu, duke regjistruar 10 paraqitje në të gjitha garat.
Pasi Fulhami aktivizoi opsionin për ta blerë përfundimisht Kusi-Asaren, ai nënshkroi një kontratë pesëvjeçare me opsion zgjatjeje edhe për 12 muaj.
Duke folur pasi transferimi i tij u konfirmua, ai tha për faqen zyrtare të klubit: “Jam shumë i lumtur që jam lojtar i përhershëm i Fulhamit. Që nga java ime e parë këtu, gjithçka ishte shumë mirë – u ndjeva sikur isha pjesë e familjes së Fulhamit. Gjithashtu, dhoma e zhveshjes, skuadra dhe stafi kanë qenë fantastikë, ndaj jam shumë i lumtur që do të qëndroj këtu”.



Të tjera
Neville tregon kundërshtarin e vetëm që mund ta mposht Francën
Muja: Çdo pronë e uzurpuar do t’i kthehet Ministrisë
Kurti mori pjesë në shënimin e 20-vjetorit të themelimit të Inspektoratit Policor të Kosovës