Starmer: Mbretëria e Bashkuar do ta njohë shtetin palestinez

Kryeministri britanik kërkon falje për praktikat e birësimeve të detyruara, i quan ato “një njollë në historinë tonë”

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka lëshuar një kërkimfalje zyrtare për praktikën historike të birësimeve të detyruara në Angli, me kryeministrin britanik, Keir Starmer, që pranoi rolin e shtetit në atë që ai e përshkroi si një padrejtësi që preku rreth 185 mijë nëna, persona të birësuar dhe familjet e tyre më të gjera, transmeton Anadolu.

Kërkimfalja u shoqërua me një paketë mbështetëse prej 4 milionë paundësh (5.3 milionë dollarë) për një periudhë 3-vjeçare, e cila synon të ndihmojë personat e prekur të kenë qasje në dokumentet e birësimit, të ri-lidhen me të afërmit dhe të dokumentojnë ndikimin afatgjatë të këtyre praktikave.

Duke folur në parlament përpara një pritjeje për aktivistët në zyrën qeveritare në Ëestminster, Starmer tha se ajo që kishte ndodhur me nënat dhe fëmijët e tyre “nuk duhej të kishte ndodhur kurrë”.

Duke reflektuar mbi praktikat e birësimit që u zhvilluan kryesisht ndërmjet viteve 1949 dhe 1976, Starmer tha se shteti kishte dështuar ndaj mijëra familjeve.

“Turpi nuk është i juaji. Turpi nuk ka qenë kurrë i juaji. Turpi është i yni. Dhe këtë e them në emër të gjithë vendit. Çdo personi të prekur nga kjo i them se na vjen thellësisht dhe sinqerisht keq”, tha Starmer, duke iu drejtuar aktivistëve që po ndiqnin seancën nga galeria e Dhomës së Përfaqësuesve.

Qeveria tha se kërkimfalja pranon se shumë grave iu mohua një zgjedhje e vërtetë, u bënë të ndiheshin të turpëruara ose të pavlera dhe se fëmijët u morën nga familjet e tyre biologjike, nga identiteti i tyre dhe nga historia e tyre.

Ajo gjithashtu pranoi se edhe baballarët dhe familjet e gjera u prekën, ndërsa dëmet zgjatën gjatë gjithë jetës dhe në disa raste edhe për breza të tërë.

Kërkimfalja lidhet me praktikat historike të birësimit në Angli.

Skocia dhe Uellsi kanë lëshuar secila kërkimfaljet e tyre zyrtare, të cilat qeveria britanike tha se i mbështet, ndërsa në Irlandën e Veriut po zhvillohet puna për krijimin e një hetimi publik ligjor lidhur me institucionet për nënat dhe foshnjat, lavanderitë Magdalene dhe shtëpitë e punës, nën drejtimin e ekzekutivit të Irlandës së Veriut.

Qeveria gjithashtu pranoi se përvojat e disa njerëzve shtriheshin edhe përtej periudhës 1949-1976 dhe se ende është thellësisht shqetësuese të dëgjohen raste ku praktikat detyruese kishin vazhduar.

Ajo tha se sistemi i sotëm i birësimit është thelbësisht i ndryshëm, me garanci të forta ligjore, kërkesa të qarta për pëlqim dhe mbikëqyrje të pavarur gjyqësore.