Disa vite më parë, kryeministri Edi Rama premtoi se paga mesatare në Shqipëri do t’i afrohej asaj të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Edhe pse pagat janë rritur, vendet fqinje kanë vijuar të ecin me ritme të ngjashme, duke bërë që diferenca të mbetet e konsiderueshme.
Sipas një analize të publikuar nga Monitor, në bashkëpunim me korrespondentët në vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria kryeson rajonin për pagat e presidentit dhe kryeministrit, si në vlerë absolute, ashtu edhe në raport me pagën mesatare të qytetarëve.
Paga mujore bruto e Presidentit të Shqipërisë është rreth 4.470 euro, ose 5.2 herë më e lartë se paga mesatare në vend. Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama përfiton rreth 4.130 euro bruto në muaj, që është 4.8 herë më shumë se paga mesatare dhe më e larta ndër të gjithë kryeministrat e Ballkanit Perëndimor.
Në renditjen rajonale, Bosnja dhe Hercegovina vjen e dyta për nivelin e pagave të drejtuesve shtetërorë, ndërsa Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë paga dukshëm më modeste për presidentët dhe kryeministrat e tyre.
Edhe për pagat neto, drejtuesit shqiptarë kryesojnë Ballkanin. Kryeministri shqiptar përfiton rreth 3.200 euro neto, ndërsa Presidenti rreth 3.400 euro neto, duke lënë pas homologët në vendet fqinje.
Në kontrast, Serbia, e cila ka pagën mesatare më të lartë në rajon, paguan presidentin dhe kryeministrin shumë më pak në raport me mesataren e qytetarëve. Edhe Kosova renditet ndër vendet me diferencën më të ulët mes pagës së drejtuesve shtetërorë dhe asaj mesatare.
Sipas analizës, Shqipëria mbetet vendi ku hendeku mes pagës së qytetarëve dhe asaj të drejtuesve më të lartë të shtetit është më i madh në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Burimi: Monitor.al



Të tjera
Dhimbjet e frikshme të gjoksit që po i ngatërroni me atakun në zemër
Edhe në rigjykim, Ekrem Bajroviq dënohet me 12 vjet burgim për krime lufte në Saradran të Istogut
12 kadetë të FSK-së diplomojnë dhe betohen si oficerë të rinj