Gjatë kontrolleve rutinore në hyrje të Republikës së Kosovës, zyrtarët doganorë në Pikën e Kalimit Kufitar Hani i Elezit kanë zbuluar mall komercial dhe mjete monetare të padeklaruara.
Automjeti me targa të Maqedonisë së Veriut është përzgjedhur për kontroll nga zyrtarët doganorë, bazuar në analizën e riskut dhe procedurat standarde të kontrollit.
Gjatë intervistimit fillestar, drejtuesi i automjetit ka deklaruar se nuk posedonte asnjë mall apo mjet monetar për deklarim.
Megjithatë, gjatë kontrollit fizik të automjetit është konstatuar një sasi malli me natyrë komerciale, e cila nuk ishte deklaruar pranë autoriteteve doganore. Po ashtu, gjatë kontrollit të drejtuesit të automjetit dhe pasagjerit janë gjetur 29,900 euro në para të gatshme, të cilat gjithashtu nuk ishin deklaruar.
Në përputhje me Ligjin Nr. 08/L-247 – Kodi Doganor dhe i Akcizave i Republikës së Kosovës, çdo person ka detyrim ligjor të deklarojë mallrat që i nënshtrohen procedurave doganore, ndërsa mosdeklarimi përbën kundërvajtje doganore dhe i nënshtrohet masave administrative dhe ndëshkuese të parapara me ligj.
Gjithashtu, bazuar në legjislacionin në fuqi për kontrollin e transportit ndërkufitar të parave të gatshme, çdo person që hyn ose del nga Republika e Kosovës me 10,000 euro ose më shumë, ose kundërvlerën e tyre në valuta të tjera apo instrumente të negociueshme, është i obliguar t’i deklarojë ato tek autoritetet doganore.
Mosdeklarimi i mjeteve monetare përbën shkelje ligjore dhe sjell masa administrative, përfshirë konfiskimin e përkohshëm të mjeteve monetare dhe zhvillimin e procedurave përkatëse.
Në këtë rast, malli i padeklaruar, mjetet monetare dhe automjeti janë sekuestruar për zhvillimin e procedurave të mëtejshme ligjore.
Në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, ndaj palës do të ndërmerren masat e parapara, përfshirë konfiskimin e përqindjes së mjeteve monetare sipas vendimit të autoritetit kompetent dhe procedurat për kundërvajtje doganore.
Dogana e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit, mbrojtjen e kufijve doganorë të Republikës së Kosovës, luftimin e tregtisë së paligjshme, kontrabandës dhe parandalimin e pastrimit të parave, duke garantuar sigurinë ekonomike dhe respektimin e legjislacionit në fuqi.



Të tjera
Haxhiu: Kosovës duhet t’i hapet rruga drejt negociatave për anëtarësim në BE
Granit Xhaka: Shpresoj që vajzat e mia të trashëgojnë ambicien dhe vullnetin tim
Mos mbani kurrë një shishe uji në makinë