KQZ: Në veri votuan gjithsej 253 qytetarë, në Zveçan asnjë

KQZ nesër certifikon rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nesër pritet të bëjë certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës të mbajtura më 7 qershor.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka bërë të ditur se mbledhja e KQZ-së do të mbahet të mërkurën, në orën 11:00. “Mbledhja është caktuar pas vendosjes nga Gjykata Supreme për ankesat e paraqitura në këtë institucion. Në rend dite është certifikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat janë mbajtur më 7 qershor”, ka theksuar Elezi.

Në fakt, Gjykata Supreme e Kosovës i ka refuzuar si të pabazuara pesë ankesat administrative të paraqitura kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), lidhur me rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Gjykata Supreme ka vlerësuar se vendimet e PZAP-së kundër ankesave të paraqitura nga subjekti politik Lista Serbe si dhe kandidatja për deputete Emilija Rexhepi dhe kandidatët për deputetë Bekim Haxhiu e Qëndrim Kryeziu janë marrë në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës dhe se pretendimet ankimore nuk janë mbështetur me prova bindëse që do të justifikonin ndërhyrjen në rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve.