Një dokumentar i Bosnje Hercegovinës ZANIMLJIVOSTI, sjell në qendër të vëmendjes deklarata të një sërë intelektualësh, politikanësh dhe analistësh nga Serbia, të cilët sfidojnë narrativat zyrtare mbi luftërat e viteve ’90, statusin e Kosovës, ngjarjet në Srebrenicë dhe konceptin e ashtuquajtur të “Botës Serbe”.
Në hyrje të dokumentarit theksohet se shpërbërja e ish-Jugosllavisë nuk ishte vetëm një proces politik, por edhe fillimi i luftërave, ideologjive dhe narrativave që vazhdojnë të ndikojnë edhe sot në politikë, media dhe kujtesën kolektive.
“Këtu duhet një pushtet përgjegjës dhe një president përgjegjës që të dalë dhe të thotë të vërtetën. Kosova është shtet i pavarur dhe ajo me të cilën duhet të merremi është që qytetarët e atij shteti të kenë të drejta plotësisht të barabarta”, shprehet ajo në dokumentar.
Autorët theksojnë se, sipas tyre, debati nuk duhet të kufizohet më vetëm te interpretimet kushtetuese, por duhet të marrë parasysh edhe realitetin politik dhe institucional që ekziston në terren që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.
Një tjetër pjesë e dokumentarit trajton statusin e entitetit Republika Srpska dhe deklaratat e presidentit të saj, Milorad Dodik, për pavarësi.
Profesori i Universitetit të Beogradit, Ivan Videnoviq, deklaron se Republika Srpska ekziston vetëm brenda Bosnjë e Hercegovinës dhe vetëm në bazë të Marrëveshjes së Dejtonit.
Sipas tij, një shtet i pavarur i Republika Srpska nuk mund të ekzistojë, duke argumentuar se entiteti është krijuar si rezultat i pastrimit etnik dhe gjenocidit.
Ai shton se çdo përpjekje për shkëputje nuk ka bazë në rendin aktual ndërkombëtar.
Dokumentari trajton gjerësisht edhe ngjarjet e korrikut 1995 në Srebrenica.
Në një debat televiziv, një i intervistuar këmbëngul se vendimet e gjykatave ndërkombëtare e kanë cilësuar atë që ndodhi në Srebrenicë si gjenocid dhe se ky është një fakt juridik.
Në një tjetër pjesë, politikani serb Nenad Çanak deklaron se gjenocidi nuk është kryer nga populli serb, por nga formacione të caktuara ushtarake.
Ai shton se, sipas bindjes së tij, në Srebrenicë kanë ekzistuar elemente të gjenocidit, duke theksuar se përgjegjësia nuk duhet të kolektivizohet mbi një popull të tërë.
Dokumentari rikthehet edhe te Memorandumi i Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve (SANU) i vitit 1986, duke argumentuar se ai ndikoi në krijimin e narrativës së rrezikimit të serbëve dhe u bë bazë për mobilizimin politik gjatë viteve ’90.
Në fund, autorët ngrenë pyetjen nëse mitet politike vazhdojnë të përdoren për të shmangur përballjen me të kaluarën, duke theksuar se shumë nga deklaratat e paraqitura nuk vijnë nga aktorë ndërkombëtarë, por nga vetë figura publike serbe.
Mes tyre është edhe profesori Ivan Videnoviq, i cili deklaron se nuk ekzistojnë “popuj gjenocidalë”, por se shtetet mund të zbatojnë politika gjenocidale dhe se përballja me të kaluarën është e domosdoshme për ndërtimin e një të ardhmeje ndryshe.



Të tjera
Kroacia planifikon ta rrisë numrin e ushtarëve në KFOR
Trump: Marrëdhëniet me Turqinë, më të mira se kurrë më parë
Turqia dënon súlmet me bómba në kryeqytetin sirian Damask