Eliminimi i Shteteve të Bashkuara nga Kupa e Botës 2026 është shoqëruar me një tjetër episod të pazakontë jashtë fushës. FIFA pezulloi dy anëtarë të stafit amerikan para ndeshjes së 1/8 së finales ndaj Belgjikës, por pa dhënë një shpjegim të qartë publik për vendimin.
Skuadra e Mauricio Pochettinos u mposht rëndë 4-1 nga Belgjika në “Lumen Field” të Seattle, duke e mbyllur në mënyrë zhgënjyese një turne që kishte nisur me pritshmëri të mëdha për bashkëorganizatorët.
Ndeshja u zhvillua pas një prej polemikave më të mëdha të turneut. Folarin Balogun u lejua të luante ndaj Belgjikës, pavarësisht se ishte ndëshkuar me karton të kuq në fitoren e SHBA-së ndaj Bosnjë-Hercegovinës në raundin paraprak.
Pas ndërhyrjes së presidentit Donald Trump, FIFA vendosi ta pezullonte për një vit dënimin prej një ndeshjeje të Balogunit, duke u mbështetur në nenin 27 të Kodit Disiplinor. Vendimi shkaktoi reagime të ashpra te tifozët dhe te Federata e Belgjikës, e cila sinjalizoi se do ta apelonte rastin.
Megjithatë, pavarësisht pranisë së Balogunit në fushë, Belgjika dominoi ndeshjen dhe madje lojtarët e saj ironizuan Trumpin duke festuar me lëvizjen e tij të njohur të vallëzimit.
Por përveç çështjes Balogun, dy pezullime të tjera ndaj stafit amerikan mbetën në fuqi.
Sipas Associated Press, FIFA pezulloi menaxherin e ekipit, Sam Zapatka, dhe zëvendëspresidentin e sigurisë në Federatën Amerikane të Futbollit, Frank Pannell. Të dy nuk u lejuan të ishin të pranishëm në ndeshjen ndaj Belgjikës.
Në dokumentin disiplinor të FIFA-s për ndeshjet e 6 korrikut, emrat e tyre figuronin si të pezulluar. Në të njëjtën listë, Ruben Dias i Portugalisë ishte shënuar si i ndëshkuar me karton, ndërsa te Belgjika të njëjtin status kishin Brandon Mechele dhe trajneri Rudi Garcia.
Megjithatë, FIFA nuk dha asnjë arsye konkrete për pezullimin e dy zyrtarëve amerikanë. As Federata Amerikane e Futbollit nuk ka dhënë një shpjegim të detajuar, por ka theksuar se çështja nuk kishte lidhje me polemikën e kartonit të kuq të Balogunit.
Sam Zapatka është pjesë e ekipit amerikan që nga viti 2015 dhe më pas mori rolin e menaxherit të skuadrës. Frank Pannell, ndërkohë, më parë ka mbajtur pozicione në Shërbimin Sekret, CIA dhe sektorin privat, para se të merrte detyrën aktuale në federatë.
Edhe pse nuk ka pasur një deklaratë zyrtare të plotë nga FIFA apo federata amerikane, disa detaje të tjera janë raportuar nga mediat.
ESPN, duke cituar një burim pranë çështjes, raporton se nuk ka pasur përplasje fizike, por pezullimi lidhej me “keqmenaxhim të protokolleve të ndeshjes së FIFA-s” dhe me persona që ishin futur në zona të caktuara ku nuk lejoheshin.
Front Office Sports ka spekuluar se pezullimet mund të kenë lidhje indirekte me Balogunin. Sipas tyre, pas fitores ndaj Bosnjë-Hercegovinës në Santa Clara, sulmuesi ishte rikthyer në fushë për festimet, edhe pse pas kartonit të kuq në pjesën e dytë nuk duhej të kishte më qasje në atë zonë.
Kjo teori nuk është konfirmuar zyrtarisht, por përputhet me raportimet për shkelje të protokolleve dhe rregullave për zonat e kufizuara.
Për SHBA-në, eliminimi i rëndë nga Belgjika ishte mjaft i dhimbshëm në aspektin sportiv. Por paqartësitë rreth pezullimeve të stafit dhe polemika e Balogunit e kanë bërë fundin e turneut edhe më të turbullt.



Të tjera
Hamza i përgjigjet Kurtit: PDK-ja e gatshme për takim nesër në ora 09:00
Gjermania regjistron mbi 5.000 vdekje nga vala e të nxehtit të qershorit
LDK mbledh kryesinë, përmenden nënshkrimet për shkarkimin e Abdixhikut