Ushtruesja e detyrës së presidentes, njëkohësisht kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se e ka ofruar pozitën e kryeparlamentares që vendi të mos shkojë në zgjedhje.
Ajo ka thënë se ka kërkuar nga të gjitha grupet parlamentare të bëjnë përpjekje maksimale që vendi të mos shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, por që t’u jepet mundësia takimeve dhe një marrëveshje për çështjen e zgjedhjes së presidentit apo presidentes.
“Së pari, mendoj që nuk është mirë që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Unë e kam shpjeguar disa herë që kemi shumë punë para vetes, shumë reforma që duhet t’i shtyjmë përpara, një agjendë legjislative ambicioze e Qeverisë së Republikës së Kosovës që përmban diku 174 projektligje, secili projektligj më i rëndësishëm se tjetri. Por edhe për shumë aspekte të tjera, jo vetëm ato të brendshme, por edhe të jashtme. Në këtë drejtim, unë kam kërkuar edhe publikisht që të gjitha grupet parlamentare të bëjnë përpjekje maksimale që vendi të mos shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, por që t’i jepet mundësia takimeve dhe një marrëveshje për çështjen e zgjedhjes së Presidentit apo Presidentes së vendit. Ka qenë shumë e rëndësishme që të dëshmohet vullnet, gatishmëri, seriozitet, përkushtim maksimal që ta tejkalojmë këtë sfidë që e kemi para vete. Për faktin se vitin e kaluar ne kemi humbur shumë, me mos-konstituim fillimisht të Kuvendit të Republikës së Kosovës e pastaj me mos-votimin e Qeverisë, edhe me mos-votimin e kryeministrit Kurti edhe të kandidatit tjetër Glauk Konjufca. Në këtë vit, ne arritëm pra ta konstituojmë njëherë Kuvendin sapo u certifikuan rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, u votuan në po të njëjtën ditë Qeveria e Republikës së Kosovës, shumë marrëveshje ndërkombëtare u ratifikuan e po ashtu edhe shumë projektligje tjera u votuan në lexim të parë. Prandaj besoj që gjatë këtyre ditëve do të duhej që të ketë sërish takime, sepse unë i pashë me shqetësim deklarimet e subjekteve opozitare që thoshin që kjo temë tashmë është e mbyllur. Si ka mundësi që të jetë tema e mbyllur për sa kohë ne kemi afat deri të hënën, përkatësisht me 27 prill?”.
Haxhiu ka deklaruar se mendon se me këtë qasje të opozitës nuk po tregohet përkushtim dhe vullnet që vendit t’i jepet një president me mandat pesëvjeçar.
“Prandaj mendoj që me këtë qasje nuk po tregohet përkushtim, nuk po tregohet vullnet që vendit t’ia japim një president me mandat pesëvjeçar. Dhe mua po më duket si ‘deja vu’. Domethënë nëse flasim për situatën aktuale e krahasojmë me atë çfarë ka ndodhur në vitin e kaluar, duket situatë e njëjtë. Por mendoj që duhet të ketë reflektim sepse qytetarët e kanë dhënë mesazhin e tyre më 28 dhjetor. Ata përmes votës së tyre kanë treguar se kë e bëjnë përgjegjës për bllokadën e për mungesën e vullnetit e të tjera si këto. Prandaj duke pasur parasysh që i kemi edhe disa ditë para vete, përkatësisht 5-6 ditë para vete, mendoj që është shumë e rëndësishme që të rikthehen takimet, që të shtohet vullneti, të dëshmohet po ashtu vullneti, sepse nuk mund të ketë marrëveshje pa takime, dhe nuk mund të ketë marrëveshje nëse mungon vullneti nga palët. Ne kemi bërë aq sa kemi mundur, aq sa kemi pasur si me thënë në dorë prej nesh. Ju e dini që ne kemi ofruar edhe pozitën e Kryetarit të Kuvendit, sepse çka na duhet pozita e kryetarit të Kuvendit nëse dikush e kërkon këtë dhe nëse kjo e parandalon zgjedhjet e jashtëzakonshme?Por mendoj që mungesa dhe refuzimi i të gjitha propozimeve, ofertave që Kryeministri Kurti i ka bërë në drejtim të partive opozitare, PDK dhe LDK, mendoj që nuk i ndihmon vendit. Ne nuk u frikësohemi zgjedhjeve, por mendoj që nuk ka të bëjë kjo me kush është më trim e kush është më i guximshëm, por a janë zgjedhjet në interes të qytetarëve. Ne mendojmë, unë personalisht mendoj që nuk janë në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Se a do të jem në listën e kandidatëve për deputetë, për këtë vendos Kryesia e Vetëvendosjes, por që ligjërisht nuk është e ndaluar”, tha Haxhiu.
“Unë nuk kam parë që partitë opozitare po kërkojnë që të ftohen nga unë. Nuk kam parë që kanë problem me Kryeministrin Kurti në raport me si me thënë të drejtën e tij për t’i ftuar në takim partitë politike. Mendoj që vendi është seanca e Kuvendit. Në seancën e Kuvendit duhet të vazhdojmë përpjekjen për ta zgjedhur Presidentin apo Presidenten e vendit. Si me thënë është më e pakta që mund të bëjmë para qytetarëve të Republikës së Kosovës. Kam thënë edhe një herë dhe pas kësaj ka pasur shumë reagime, e di që kemi dallime konceptuale, programore, të politikave ditore e të tjera si këto, mirëpo mendoj që të gjitha këto mund t’i vazhdojmë si me thënë pasi që ta zgjedhim presidentin”, Haxhiu.
“Unë mendoj që në qoftë se kjo e parandalon që vendi të shkojë në zgjedhje, po bën shumë mirë. Pra ne jemi të koordinuar për secilin veprim. Ne vetë kemi ofruar si me thënë, sepse unë kam dëgjuar së pari partitë politike që kanë thënë që nuk bën një subjekt politik t’i ketë tri pozitat: ta ketë Kryetarin e Kuvendit, ta ketë Qeverinë, pra Kryeministrinë, dhe në anën tjetër Presidencën. Prandaj kanë thënë që një nga pozitat e larta është pozita e Kryetarit të Kuvendit, le ta marrin. Le ta marrin, mirëpo nuk po dëshirojnë që të ketë zgjidhje politike, sepse prapë Vetëvendosja e ka shumicën në Kuvend. Edhe nëse u ofrohet LDK-së ose PDK-së, prapë gjithçka që duam me çu përpara, Vetëvendosja është ajo e cila vendos për shkak të shumicës në Kuvend. Po nëse Vetëvendosje thotë që do ta bëjë këtë, e bën, sepse nuk ka pasur ndonjë rast që Vetëvendosje ka thënë diçka dhe ka vepruar ndryshe. Prandaj mendoj që është e rëndësishme edhe një herë që t’i rikthehemi takimeve dhe të dëshmojmë vullnet që mos ta dërgojmë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme”, tha Haxhiu.
“Po patjetër. Kryeministri Kurti i ka thënë edhe LDK-së edhe PDK-së. Kjo nuk është pozita ime. Domethënë nuk është pozita ime, nuk e kam me tapi. Njerëzit vijnë e shkojnë dhe mendoj që këtu duhet të dëshmojmë që e kemi për vendin dhe jo për interesat personale. Një moment mund të jesh ministër, një moment mund të kesh një pozicion tjetër. E rëndësishme është që të veprojmë në përputhje me interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Në raport me këtë çështje, janë tejkaluar të gjitha afatet, mendoj që ka qenë një proces kushtetues që është dashur të përmbyllet nga Presidentja Vjosa Osmani-Sadriu. Do të veprohet në përputhje me përgjegjësitë. Unë kam thënë që proporcionaliteti, përfaqësimi dhe fuqia politike nuk mund të shkelen. Nuk mund unë që ta mohoj vullnetin e qytetarëve, nuk mund që ta shtyp atë, ose që me një vendim timin të veproj në kundërshtim”, shtoi Haxhiu. /eo



Të tjera
Ulutash: Veriu i qetë, por situata mbetet e tensionuar – kërkohet kujdes dhe dialog i menjëhershëm
Tragjedi në kufirin Turqi–Bullgari: Autobusi merr përpara dy persona, ngjarje e rëndë trondit rajonin
Intuita është formë e lartë e inteligjencës…