A po shkon Kosova drejt krizës politike, Kasolli analizon situatën pas certifikimit të rezultateve

Kanë kaluar disa ditë (27 mars) që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të përgjithshme të 9 shkurtit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Në rezultatet përfundimtare LVV ka fituar 48 ulëse, PDK e dyta me 24 ulëse, LDK me 20 dhe dhe koalicioni AAK-Nisma 8 ulëse.

Ditë më parë presidentja e vendit Vjosa Osmani ka thënë se shumë shpejt do të caktohet data për seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, në anën tjetër nga opozita vijnë akuza se Lëvizja Vetëvendosje me qëllim po e zvarrit procesin.

Arton Demhasaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka akuzuar partinë në pushtet për zvarritje të qëllimshme të procesit të krijimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve, duke e cilësuar këtë si një përpjekje për të çuar vendin drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Ai deklaroi se qeveria në detyrë po e shfrytëzon situatën për të vazhduar qeverisjen dhe për të bërë emërime të reja publike.

“Kjo po ju konvenon për shkak se po vazhdojnë ende të qeverisin, të marrin vendime, po vazhdojnë të bëjnë emërime të larta publike. Në anën tjetër, nga momenti kur të certifikohet rezultati i zgjedhjeve duhet që të fillojë procedura e konstituimit të Kuvendit që duhet të përfundojë edhe me betimin e krejt deputetëve, njëkohësisht edhe me zgjedhjen e strukturave udhëheqëse të Kuvendit që janë nënkryetari, kryetari dhe komplet kryesia. Pas këtij momenti presidentja e ka të drejtën që t’ia japë mandatarin partisë së parë në pushtet, partia e parë në pushtet siç duket nuk e ka momentalisht shumicën parlamentare. Në rast se dështon partia e pare, atëherë automatikisht mandati i kalon partisë së dytë. Presidentja duhet t’ia japë mandatin partisë së dytë dhe partia e dytë në këtë rast që është PDK-ja mund të krijojë një shumicë parlamentare edhe mund të krijoj qeverinë. Në bazë të numrave që janë momentalisht në Kuvend mendoj që partitë opozitare kanë mundësinë për të krijuar një qeveri, për shkak se numrat e tri partive opozitare, PDK-së, LDK-së dhe AAK-së janë më të mëdha se VV-ja me partneret e saj që janë në koalicion”, ka thënë ai.

Ndërsa, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu të hënën në një prononcim për median, përjashtoi mundësinë e bisedimeve me opozitën sa i përket formimit të qeverisë së re.

Sipas saj, do të bëjnë përpjekje për të takuar deputetë të zgjedhur por sipas saj jo ata nga opozita.

“Besoj se tashmë pas certifikimit të rezultateve vazhdon puna për themelimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, gjegjësisht edhe për Qeverinë Kurti 3. Ne do të kemi përpjekje të vazhdueshme për të takuar grupe parlamentare, përjashto këtu opozitën, pra me partnerët tanë të koalicionit te cilët edhe jemi, por edhe natyrisht me të tjerët të cilët do t’i kemi”, tha Haxhiu.

Ai përmend edhe arsyet e tij.

“Lëvizje Vetëvendosje e ka të drejtën kushtetuese për ta nisur këtë rrugëtim, deri më tani nuk ka dhënë indikacione se mund ta zotërojë deri në fund. Ajo e ka bërë të qartë se nuk preferon ta ndajë pushtetin me Listën Serbe, si dhe me asnjërën nga partitë tjera shqiptare, që i ka definuar ndryshe si subjekte të “regjimit të vjetër”, e të cilat sipas Albin Kurtit nuk janë reformuar. Për më shumë, i njëjti ato si pjesë e një luftë hibride armiqësore kundër qeverisë që e ka drejtuar dhe se gjatë fushatës zgjedhore premtimet e tyre elektorale i ka cilësuar si irracionale. Madje, siç dëshmoi edhe dje “biseda” me “presidentin e Lituanisë”, një vlerësim të tillë për opozitën ai nuk e ka përdorur vetëm për nevoja të brendshme elektorale, por dhe në bashkëbisedim më burrështetas perëndimorë. Për ta bërë gati të pamundur çdo bashkëpunim me to, ai u përkujdes që t’i cilësonte ato me gjuhë animale si “havajna e hajvant”, natën e përfundimit të zgjedhjeve. Por, telashe në formimin e Qeverisë së re, duket që do të ketë edhe për shkak të qëndrimit të partive minoritare jo serbe. Duda Balje nga komuniteti boshnjak, e ka bërë të qartë se nuk do ta votojë asnjë koalicion qeveritar, nëse në këmbim nuk e merr premtimin për themelimin komunës së re nga ky komunitet. Në bazë të kushteve aktuale, partia në pushtet ose do ta shkel njërin nga premtimet e saj të sipër cekura, ose do të tentojë që ta mbajë peng vendin më qëllim që të mos e dorëzojë pushtetin, ndaj mundësisë që partitë tjera opozitare ta themelojnë qeverinë. Mirëpo, në bazë të zotimeve të tyre të deri tanishme,as ky skenar nuk duket real edhe nëse në bazë të diskrecionit presidencial e fitojnë këtë mandat. Kushtëzimet që janë duke i bërë njëra tjetrës gjithnjë e më shumë nuk japin shpresë për një qeveri të krijuar nga opozita”, shprehet Kasolli.

Image

Afrim Kasolli

Sipas tij, partitë secila do të ruajnë pozicionin e tyre politik dhe asgjë me tepër.

“Në disa shkrime e kam potencuar se një opsion i tillë s’është në kundërshtim me traditat e demokracive parlamentare. Shembull tipik është rasti i fundit të Austrisë. Para pak kohe, partitë e qendrës në këtë shtet, u pajtuan për ta formuar Qeverinë e re, duke e përjashtuar Partine e Lirisë (FPÖ), ndonëse kjo e fundit kishte dalur partia e parë në zgjedhjet parlamentare. Ndërkohë, deri më tani te ne, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka pohuar se do ta mbështes çdo variant të partive të opozitës për themelimin e pushtetit të ri, me kusht që nga ky aranzhman të përjashtohet Lëvizja Vetëvendosje. Kurse , Lidhja Demokratike e Kosovës, ka sajuar kushte që e pamundësojnë çdo Qeveri pa Vetëvendosjen. Kryetari i kësaj subjekti politik, ka pohuar se nuk duan të jenë pjesë e asnjë “qeverie pa pozitën e kryeministrit”. Po ashtu, LDK “nuk synon dhe nuk do të punojë për një qeveri afatshkurtër”, sepse pa zgjidhjen e çështjes bazike të Presidentit që përcakton zgjedhjet e ardhshme nacionale të Kosovës, LDK “nuk beson se do të ketë stabilitet qeveritar dhe për qeveri afatshkurtra fare””.

“Shto edhe këtu faktin se rezultati zgjedhor ka ngjallur pakënaqësi masive brenda saj. Për më shumë, sipas analistit politik Shkëlzen Maliqi, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), më shumë po përpiqen t’ia lënë njëra-tjetrës përgjegjësinë për një koalicion të mundshëm me kryeministrin Albin Kurti, veçanërisht LDK-ja, se sa që e kanë synim strategjik një bashkëpunim të mundshëm ndërmjet vete. Duket qe shija e hidhur e pabesisë në të kaluarën të jetë pengese serioze për këtë skenar. Prandaj, secila prej tyre sot po kushtëzohet vetem nga kalkulimi se si ta ruajnë pozicionin e tyre politik dhe asgjë me tepër Në këtë kontekst, pa përjashtuar edhe presionet ndërkombëtare, tashmë kemi ardhur në atë gjendje, kur për secilën prej subjekteve politike parlamentare, kurora pushtetit më shumë e mbart brenda saj helmin e hidhur se sa shkëlqimin publik. Çfarë po ndikon që asnjëra të mos kenë vullnet për të marr përgjegjësi për t’u përballur me rrethanat që po kalojmë. Paqartësi kjo, që mund të ndikojë që shumë shpejt vendi ynë të kalojë nga zvarritja e deritanishme procedurale e zgjedhjeve në një krizë politike pa shtegdalje. Ndërkohë, përpos faktit se Kosova ndodhet nën masa sanksionuese nga Bashkimi Evropian, po ashtu ajo është privuar aktualisht edhe nga sigurimi i mjeteve të para financiare, nga Plani i BE-së për Rritjen Ekonomike të Ballkanit Perëndimor, pikërisht për shkak të këtyre vonesave”, përfundon Kasolli.