“A po vjen? Me kapelë”: Dejona Mihali urdhëronte Nagip Krasniqin të shkojë në takim i maskuar

“A po vjen te ne…me kapelë :)”.

Kështu i drejtohet me ftestë për takim në seli të Vetëvendosjes Dejona Mihali – formalisht Koordinatorja e Komiteteve Profesionale në Vetëvendosje – ish-Kryeshefit të Korporatës Energjetike (KEK), Nagip Krasniqit, tash të arrestuar dhe me aktakuzë nga Prokuroria Speciale për dyshime të dëmtimit të buxhetit të shtetit për mbi 3 milion euro.

Nacionale ka siguruar komunikimet e Dejona Mihalit me Nagip Krasniqin në platformën “Signal” – ku përkthehet një tablo udhëzimi e menaxhimi nga Mihali ndaj Krasniqit se çka të bëjë e çka jo.

Mihali qe intervistuar nga Prokuroria Speciale javë më parë mu për këto komunikime. Pretendoi se u intervistua nga prokuroria “për ta zbardhur të vërtetën”:

Por, e vërteta del të jetë që Krasniqi del të ketë qenë i udhëzuar skajshmërisht nga Mihali, e cila i kërkon llogari, pyet, dërgon, informon për gjëra në lloj-lloj sferash: prej atyre energjetike e politike.

Të kthehemi te mesazhi i sipërm, kur Mihali e fton në objekt të Vetëvendosjes: por, ia bën me dije që të shkojë i kamufluar: “…me kapelë” të cilës ia shoqëron edhe një ‘smajll’.

Dejona Mihali i kërkon takim Nagip Krasniqit:

Mihali: “Po duam të të takojmë me Gazmendin. Kur mundemi?”

Krasniqi: “Të shtunën?”

Mihali“Të shtunën kam këshill, të pretem në pasdite/mbrëmje?”

Krasniqi: “Jam në Vjenë. Kthehem nesër. Të premten kam mbledhje të bordit tërë ditën”.

Mihali: “Të dielën në 12:00”

Krasniqi: “Në rregull”

Mihali: “A po vjen te…me kapelë J

Krasniqi: “Hahahha. Vij”.

Mihali: “Ok.”

Krasniqi: “Shihemi”.

Mihali: “Shihemi”.

Komunikimi për Martin Berishajn

Kur në Kosovë kishte shpërthyer skandali për përfshirjen e ambasadorit Martin Berishaj në dallaveret me rrymë nëpërmjet kompanisë GEN, shqetësimi duket se ishte prezent në figurat e larta të Vetëvendosjes.

Në komunikimet që i ka siguruar gazeta Nacionale ndërmjet Dejona Mihalit dhe Nagip Krasniqit, del se Mihali e përcillte me vëmendje secilin raportim për këtë skandal energjetik. Ato, ia përcillte ish-kryeshefit të KEK-ut.

Madje, në njërën prej bisedave, Mihali e informon Nagip Krasniqin për shkrimet e mediave se kompania GEN e lidhur me Martin Berishajn, kishte përfituar 4.2 milionë euro gjatë kohës së krizës energjetike.

Para këtij raportimi, dorëzohet edhe Nagip Krasniqi i cili e konfirmon se “pak a shumë është i vërtetë”.

Mihali ia ka dërguar Krasniqit linkun e portalit Reporteri, përderisa reagimi i Nagip Krasniqit ishte i menjëhershëm.

“Pak a shumë e vërtetë”, thuhet në përgjigjen e Nagip Krasniqit, në bisedat të cilat i ka siguruar Nacionale.

Ajo që mbrohej me kërshëri nëpër media nga zyrtarët e pushtetit, del se nuk amnistohej edhe në komunikimet private.

Pra, Nagip Krasniqi, në bisedat private, ia konfirmon Dejona Mihalit, se përfshirja e Martin Berishajt në kompaninë GEN dhe përfitimet që kjo kompani ka marrë nga Kosova, janë “pak a shumë të vërteta”.

Bisedat për këtë temë, nuk ndalen.

Pas artikullit të parë, Dejona Mihali ia dërgon Nagip Krasniqit një deklaratë të Ramush Haradinajt, i cili kërkonte llogari nga Albin Kurti për skandalin me rrymë ku ishte i përfshirë Martin Berishaj.

Kjo nuk u përcoll me ndonjë reagim nga Nagip Krasniqi.

Në një tjetër shkëmbim mesazhesh në ‘Signal’, Dejona Mihalit e njofton Nagip Krasniqin për komisionin hetimor, dhe importin e rrymës.

“A je duke i ndjekur? Po sulmojnë për komisionin hetimor dhe për importin”, ia shkroi Dejona Mihali.

“Jo. Skam nerva”, ia ktheu Nagip Krasniqi.

Dejona Mihali, komisarja e VV-së, më pas vazhdon me kërkesa të qarta duke kërkuar shpjegime.

“Na nevojiten shpjegimet. Jo vetëm ne, por edhe Artanes”, thuhet në mesazhin e Mihalit.

“Dërgoni pyetjet”, ishte mesazhi tjetër i Nagip Krasniqit.

“Si urdhëron” ia kthen Mihali, mesazh i cili përcillet me pak humor “hahaha” nga Nagip Krasniqi.

Se Dejona Mihali ishte e përfshirë në secilin detaj e secilin veprim që ndërmerrej brenda KEK-ut, e konfirmon edhe një tjetër mesazh.

Mihali ia përcjell Krasniqit një link i cili flet për kryetarin e Sindikatës së KEK-ut. Aty, Mihali e pyet Nagip Krasniqin nëse kanë kontakte me këtë person.

“A mbani kontakte me këta a hiç”, pyet Mihali.

Për këtë përfshirje të Mihalit, ajo ishte intervistuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Pas intervistimit, Mihali kishte deklaruar se “u ftua për ta zbardhur të vërtetën”.

Nacionale sot gjatë ditës dhe nesër do të vazhdojë me publikimin e mesazheve të tjera ku është e përfshirë Dejona Mihali dhe Nagip Krasniqi.

Si pyetej për gjithçka Dejona Mihali nga Nagip Krasniqi?

Në cilat punësime ishte e përfshirë Dejona Mihali dhe kryeministri Kurti?

Si kamuflohej Nagip Krasniqi për të shkuar në zyret e VV-së për të diskutuar për këto tema?

Si e ofendonte Dejona Mihali Lidhjen Demokratike e Kosovës?

Si vendoste Dejona Mihali kur do të kishte reduktime të rrymës?

Të gjitha këto do të publikohen gjatë ditës.

Ambasadori i Kosovës, Martin Berishaj, dyshohet nga Prokuroria Speciale për shpërlarje parash.

Për këtë ai ishte intervistuar muaj më parë nga Prokuroria Speciale e Kosovës.