Kryetari i Federata e Futbollit e Kosovës, Agim Ademi, i ka bërë thirrje Ministrisë së Sportit dhe Rinisë që të mos ketë më vonesa në investimin për stadiumin “Adem Jashari”, duke theksuar nevojën urgjente për një stadium të dytë që plotëson standardet ndërkombëtare.
Aktualisht, Kosova ka në dispozicion vetëm stadiumin “Fadil Vokrri” për ndeshje ndërkombëtare, një situatë që sipas Ademit paraqet rrezik serioz nëse nuk gjenden alternativa.
Ademi ka zhvilluar një vizitë në Mitrovicë, ku ka diskutuar për përmirësimin e infrastrukturës së futbollit në këtë zonë.
Gjatë kësaj vizite, ai ka takuar kryetarin e ri të komunës, Faton Peci, me të cilin ka biseduar për nevojën e ndërtimit të fushave të reja të futbollit, duke theksuar mungesën e tyre në Mitrovicë.
“Sot pata kënaqësinë të vizitoj Mitrovicën dhe të diskutojmë për zhvillimin e futbollit. U dakorduam që të ndërmarrim hapa konkretë për ndërtimin e fushave të reja. Kërkova nga komuna që të identifikojë parcelat e nevojshme, ndërsa ne si Federatë jemi të gatshëm të kontribuojmë”, ka deklaruar Ademi.
Ai ka theksuar se Federata ka kapacitet që një fushë futbolli ta ndërtojë brenda tridhjetë ditësh.
Në fokus të diskutimeve ka qenë edhe përmirësimi i stadiumeve në këtë qytet. Ademi ka përmendur nevojën për ndërhyrje në stadiumin “Riza Lushta”, si dhe ndërtimin e një fushe stërvitore.
Njëkohësisht, ai ka kërkuar përshpejtimin e punimeve në stadiumin “Adem Jashari”, i cili është në renovim prej vitesh.
“Kërkoj nga Ministria e Sportit dhe të gjithë të përfshirët që të mos ketë neglizhencë, pasi çdo vonesë mund të na detyrojë të zhvillojmë ndeshje jashtë vendit”, ka thënë Ademi, duke shtuar se aktualisht Kosova ka vetëm një stadium për garat evropiane.
Vizita është vazhduar edhe në objektin sportiv “Fatime Xhaka”, ku është vendosur që ky objekt të kalojë në shfrytëzim të Federatës së Futbollit të Kosovës. Aty do të vendoset selia e Lidhjes Rajonale të Futbollit të Mitrovicës dhe fusha ekzistuese do të rinovohet për t’u përdorur nga grupmoshat e reja.
Ademi ka theksuar se Federata do të vazhdojë angazhimin për krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin e futbollit në të gjithë Kosovën.



Të tjera
Kusari-Lila: Kosova po forcon klimën e investimeve
Pacolli: Investimet në Bjeshkët e Junikut të bëhen në harmoni me mjedisin
“Putin tërheq fijet edhe në Serbi” – Vuçiç përplaset me kryeministrin e ri hungarez