Afati kushtetues po afrohet, Ramadani parashikon presion ndërkombëtar

Vetëm 7 ditë na ndajnë nga përfundimi i afatit kushtetues për formimin e institucioneve të reja në Kosovë, ndërsa bllokada politike vazhdon të mbetet e pandryshuar.

Kuvendi ende nuk ka një kryetar, nuk është zgjedhur kryesia, dhe qeveria e re mbetet pezull në mungesë të një shumice të qartë parlamentare.

Të shtunën, në një përpjekje të fundit për të çuar përpara një marrëveshje, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj,u takuan, por pa rezultat konkret.

Opinionisti Albert Ramadani, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka komentuar mbi situatën e bllokuar politike në Kosovë disa muaj pas zgjedhjeve parlamentare, ku ende nuk është zgjedhur kryetari dhe kryesia e Kuvendit. Ai ka theksuar se LVV nuk i ka votat e mjaftueshme për të krijuar dhe se afati kushtetues po afrohet.

Image

Albert Ramadani

“Po, sa i përket ta quajmë situatën politike në Kosovë kanë kaluar muaj pas zgjedhjeve parlamentare dhe ende nuk është zgjedhur kryetari dhe kryesia e re e Kuvendit.

Aktualisht, ka tentativa të fundit nga liderët e LVV-së dhe Nismës për të gjetur një zgjidhje.

LVV-ja nuk i ka të sigurta 58 vota për të bërë një marrëveshje me Nismën, pasi që ka vetëm 48 vota. Janë të nevojshme edhe 10 vota nga pakicat apo deputetë të tjerë, plus tri vota nga Nisma, për të arritur një zgjidhje, si për kryetarin e Parlamentit, ashtu edhe për formimin e qeverisë.

Meqenëse po afrohet afati kushtetues, me gjasë do të ketë presion nga faktori ndërkombëtar që ngërçi në Kuvend të tejkalohet – jo përmes një marrëveshjeje të një partie të vetme, por që të gjitha partitë të gjejnë një rrugëdalje për zgjedhjen e kryetarit/es dhe kryesisë, dhe më pas për formimin e qeverisë.

Gjithashtu, Ramadani thekson se marrëveshja mes LVV-së dhe Nismës është e pamundur pa sigurimin paraprak të 58 votave nga ana e LVV-së.

Sipas Ramadanit, edhe nëse arrihet një marrëveshje me Nismën, ngërçi politik nuk zgjidhet, duke nënkuptuar se problemi është më i thellë dhe kërkon përfshirje më të gjerë politike për zgjidhje.

“Përfundimisht, nuk mendoj se LVV dhe NISMA do të arrijnë një marrëveshje pa qenë e sigurt LVV-ja që, pa përfshirë deputetët e Nismës, i ka 58 vota.

LVV-ja ka 48 deputetë, i duhen edhe 10 të tjerë (nga pakicat ose deputetë të pavarur), pastaj edhe 3 deputetë të Nismës – dhe aty do të mund të fillonte marrëveshja: LVV-ja, deputetët e pakicave dhe tre deputetët e Nismës.

Edhe me marrëveshje me Nismën e Fatmir Limajt, LVV-ja nuk mund ta zhbllokojë ngërçin politik”, ka përfunduar Ramadani.