Akuzat shokuese të Kërçelit – A po shitet partia e Rugovës te kundërshtarët e vjetër?

Ish-deputeti i Vetëvendosjes, Ilir Kërçeli ka reaguar me tone kritike ndaj diskutimeve për mundësinë që Përparim Rama të propozohet për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Në postimin e tij në Facebook, ai e ka cilësuar këtë skenar si një “fenomen” të pazakontë në politikë, duke ngritur dyshime për procesin e brendshëm të përzgjedhjes së liderit në parti, përcjell “Bota sot”.

Kërçeli ka vënë në pikëpyetje edhe faktin nëse një kandidat i tillë duhet të udhëheqë një parti me traditë të gjatë, duke sugjeruar se LDK-ja, sipas tij, po përballet me mungesë të brendshme të alternativave dhe drejtimit politik.

Postimi i plotë

Në zgjedhjet për kryetar, të gjithë anëtarët e LDK-së do të kenë të drejtë vote, përveç vetë kandidatit për kryetar, sepse ende nuk është anëtar i partisë që synon ta udhëheqë.

Shpresoj që, pasi të zgjidhet kryetar, puna e tij e parë të jetë plotësimi i formularit të anëtarësimit në LDK.

Por pyetja që shtrohet është: për çka i duhet LDK-së një personazh si Rama?

A nuk i ka vet profesorët e saj, intelektualët e saj, politikanët veteranë dhe brezin e ri të politikanëve që për vite me radhë kanë mbajtur barrën e partisë?

Kjo vetëm sa e konfirmon atë që e kam thënë gjatë fushatës: LDK-ja nuk po drejtohet më nga anëtarët e saj, por po jepet me qira. Tashmë nuk po kërkohet as që qiramarrësi të jetë pjesë e shtëpisë; mjafton t’i pëlqejë çelësi.

E në fund, mbetet vetëm një pyetje: a po zgjedh LDK-ja një kryetar për ta forcuar veten, apo po përgatitet të bëhet zyrtarisht patericë e PDK-së, tashmë edhe me letra?