Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh kryetar i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka përkujtuar 19 vjetorin e protestës së organizuar nga kjo lëvizje, e ku mbetën të vrarë aktivistët Mon Balaj dhe Arben Xheladin, përcjell KosovaPost.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti i ka quajtur dëshmorë të lirisë dhe demokracisë aktivistet Mon Balaj dhe Arben Xheladinin.
Postimi i plotë:
Si me 10 shkurt 2007, ne qëndrojmë në të drejtën tonë. 19 vjet më parë, në Prishtinë u bashkuan mijëra qytetarë për të kërkuar vetëvendosje, liri me të drejta, pavarësi me sovranitet dhe një shtet demokratik. Ishte kjo vazhdimësi e protestave të brezave të tërë që nuk u pajtuan kurrë me padrejtësinë.
Atë ditë, ne kundërshtuam paqësisht një projekt që cenonte demokracinë, barazinë dhe integritetin e shtetit të Kosovës. Dhe pikërisht atë ditë, dhuna u përgjigj ndaj kërkesës sonë politike. Vetëm 8 sekonda pasi hedhi sasi të mëdha të gazit lotsjellës, policia ndërkombëtare e UNMIK-ut shkrepi plumba të gomës që morën jetën e Mon Balajt dhe Arben Xheladinit, të cilët ranë dëshmorë të rrugës së vetëvendosjes, në marshin drejt Sheshit Skënderbe i cili u bllokua në rrugën “Nëna Terezë”.
Sot e kësaj dite ne shohim që kritika e protestës së 10 shkurtit 2007, fjalët e asaj proteste vazhdojnë të jenë sfida institucionale të shtetit tonë. Padrejtësitë e kundërshtuara asokohe vazhdojnë të shkaktojnë pengesa në shtetndërtimin dhe zhvillimin e Republikës së Kosovës.
Moni dhe Arbeni janë pjesë e themelit politik mbi të cilin qëndrojmë sot. Asnjë imunitet nuk mund ta fshijë përgjegjësinë, dhe asnjë dhunë nuk mund ta ndalë drejtësinë.
Sot, si atëherë, ne qëndrojmë të vendosur: për vetëvendosje, për demokraci, për republikë. Për vullnetin e shumicës, për të drejtat qytetare dhe të pakicave. Kjo është rruga jonë. Kjo është rruga e Kosovës.
Lavdi Mon Balajt dhe Arben Xheladinit! Lavdi dëshmorëve të lirisë dhe të demokracisë



Të tjera
Maqedonci takon ambasadorin britanik, diskutohet bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes
Vizita e presidentit turk tregoi forcën e marrëdhënieve dypalëshe
Gallup: Kosova ndër 5 shtetet me mendimin pozitiv për Trumpin, Serbia vlerëson më së shumti Putinin